– “Atij i përket çdo gjë që është në qiej e në Tokë!” – Allahu i Madhëruar na tregon se në dorën e Tij është pushteti i qiejve dhe i tokës. Gjithçka është pronë e Allahut dhe e nënshtruar ndaj Tij. Atëherë, si është e mundur që dikush të adhurojë diçka tjetër veç Allahut dhe të pretendojë se ndonjë nga krijesat është bir i Allahut?!
I pastër nga çdo e metë dhe i lartësuar qoftë Allahu, Mbreti i Madhëruar, para të cilit janë nënshtruar të gjithë dhe para të cilit çdo e vështirë është e thjeshtë. Atë e kanë frikë melekët më të afërt dhe të gjithë i janë nënshtruar ta adhurojnë të përulur, me përgjërim e pandërprerë.
– “Ata që janë pranë Tij nuk tregohen kryeneçë duke e lënë adhurimin e Tij dhe as nuk lodhen.” – Melekët, që janë pranë Allahut, kurrë nuk velen dhe as lodhen nga adhurimet që i përkushtojnë Atij, sepse ata e duan jashtëzakonisht adhurimin e Tij. Ata e duan shumë Allahun dhe trupi i tyre është i fortë në adhurim.