Allahu i Madhëruar na përmendi në ajetet më sipër se është Ai që vendos ligjet e shpërblimit të robërve të Tij dhe është po Ai që vendos ligjet e fesë dhe të besimit. Këto ligje Ai i ka shtjelluar në librat e shpalljet e Tij, ku na ka treguar edhe se si do t’i shpërblejë robërit, në varësi të plotësimit të vendimeve të Tij. Të gjitha këto tregojnë se Allahu është Sunduesi, Mbretëruesi dhe i Plotpushtetshmi. Pas kësaj, i Lartësuari vijon të na tregojë se po në dorë të Tij është edhe ligji i krijimit dhe i funksionimit të ekzistencës. Ai thotë:
– “I lartësuar qoftë Allahu, Sunduesi i vërtetë!” – U lartësoftë, u shenjtëroftë dhe u dëlirësoftë Allahu i Madhëruar! Ai është El Melik, pra, Mbretëruesi, Pronari, Sunduesi, i Plotpushtetshmi. Sundimi e mbretërimi i Tij është një atribut që Ai nuk e ndan me asnjë tjetër. Të gjitha krijesat janë pronë e Tij dhe mbi ta ekzekutohet ligji i kaderit, pra, i caktimit dhe i krijimit të Tij. Askush e asgjë nuk mund të dalë jashtë këtij ligji. Ekzistenca e Tij është e vërtetë dhe nuk ka dyshim për këtë. Pushteti, mbretërimi dhe sundimi i Allahut janë të vërtetë.
Cilësitë e Tij absolute janë të vërteta dhe askush tjetër nuk është i përshkruar me to. Pushteti e sundimi është i vërtetë vetëm për Allahun, ndërsa pushteti, sundimi, mbretërimi apo pronësia që kanë krijesat është i mangët, sepse është i kufizuar në kohë dhe masë të caktuar. Ky lloj sundimi është i mangët dhe do të zhduket. Ndërsa sundimi i Zotit kurrë nuk zhduket, sepse Ai është Mbretëruesi, i Gjalli, i Plotpushtetshmi dhe i Madhëruari. Ky është kuptimi i përshkrimit të pushtetit të Zotit si el hak – i vërtetë.
– “Mos nxito (o Muhamed!) për ta lexuar Kur’anin para se të përfundojë shpallja e tij dhe thuaj: “Zoti im, më shto dituri!” – Mos u ngut që të përsërisësh Kur’anin para se Xhibrili të mbarojë leximin e tij. Bëj durim derisa ai të mbarojë, pastaj lexoje ti! Allahu i Madhëruar të ka dhënë fjalën që do ta ruajë atë në gjoksin tënd, që ti të mos e harrosh, sikurse thotë ajeti: “Ti mos u ngut me gjuhë, që ta këndosh atë sa më shpejt, sepse e kemi Ne detyrë se si do të ngulitet dhe këndohet ai! Pasi të ta kemi kumtuar atë, atëherë fillo ti! Pastaj e kemi Ne për detyrë që ta sqarojmë atë.” [Kijame 16 – 19].
Fakti që Profeti nxitonte të përsëriste Kur’anin për ta mbajtur mend më mirë, tregon se sa i përkushtuar ishte ai për të nxënë dijen dhe sa dashuri të madhe kishte për të. Allahu e urdhëroi Profetin (a.s.) që t’i lutej pikërisht për shtimin e diturisë, sepse dituria është mirësi dhe shtimi i mirësisë është i vlerësuar. Dituria vjen prej Allahut të Madhëruar dhe rruga e arritjes së saj kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe dashuri të madhe për të. Ajo arrihet me lutje të sinqerta drejtuar Allahut, me kërkim të vazhdueshëm ndihme dhe duke shfaqur varfërinë dhe nevojën për të, në çdo kohë dhe në çdo gjendje.
Nga ky ajet mësohet edhe edukata e kërkimit të diturisë. Ai që kërkon diturinë duhet të ketë durim dhe të dëgjojë me vëmendje atë që thotë mësuesi, sepse fjalët janë të lidhura me njëra-tjetrën. Nxënësi mund të bëjë pyetje vetëm pasi mësuesi ka përfunduar shpjegimin e temës. Ai nuk duhet ta ndërpresë mësuesin, sepse kjo e privon nga shumë të mira. Po kështu, edhe mësuesi nga ana e tij, kur merr pyetjen, duhet ta kuptojë mirë atë, derisa të mësojë qëllimin e vërtetë të pyetësit, para se të japë përgjigjen. Kjo do ta ndihmojë më shumë për të dhënë një përgjigje të saktë.