– “Por, pa dyshim, Unë jam Ai që e fal përsëri e përsëri atë që pendohet, beson, bën vepra të mira dhe përqendrohet në rrugën e drejtë.” – Mëshira Ime është shumë e madhe për atë që pendohet nga kufri, bidatet dhe kalimi i kufijve. Allahu është pranë atyre që e besojnë Atë, melekët, shpalljet, profetët, Ditën e Gjykimit dhe bën vepra të mira me zemrën, trupin, gjymtyrët dhe me gjuhën e tij. Dhe pas gjithë kësaj: “përqendrohet në rrugën e drejtë”, nënshtrohet për të ndjekur rrugën e drejtë. Ai pason Profetin e nderuar, ndjek fenë e drejtë dhe të vërtetë e jeton sipas saj.
Të tillëve, Allahu ua fal gjynahet dhe ua mbulon çdo gabim që ka kaluar, sepse këta kanë bërë sebepin kryesor dhe më të madh, që mundëson faljen e gjynaheve dhe mëshirën e Zotit: pendimin, besimin e saktë e të vërtetë dhe veprat e mira. Teubja, sikurse ka thënë Profeti (a.s), shlyen gjithçka ka ndodhur para saj. Imani dhe islami, gjithashtu, fshijnë gjithçka që ka ndodhur para tyre. Edhe veprat e mira të vazhdueshme i fshijnë të këqijat, sikurse thotë Zoti në Kuran. 125
Ndjekja e rrugës së drejtë me përpikmëri është fshirëse gjynahesh. Mënyrat që Zoti ka premtuar se janë fshirje gjynahesh janë të shumta, si: kërkimi i diturisë, meditimi në tekstin e Kur’anit ose të haditheve për të nxjerrë mësime, nga të cilat njerëzit përfitojnë e shohin rrugën e vërtetë, ftesa në rrugën e Zotit, refuzimi i bidateve, kufrit dhe devijimit, lufta në rrugën e Zotit, hixhreti për hir të Zotit dhe për të ruajtur besimin, etj. Të gjitha këto sjellin falje gjynahesh dhe ndihmojnë të arrish synimin madhor, kënaqësinë e Zotit dhe lumturinë në të dyja jetët.
125 Thotë i lartësuari: “Dhe fale namazin në dy skajet e ditës, edhe në orët e afërta të natës! Sigurisht që veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat. Ky është kujtim për ata që kujtojnë (Zotin e tyre).” Hud 112.