– “Ne i kumtuam Musait: “Udhëto natën me robërit e Mi dhe hapu atyre një rrugë të tharë nëpër det! Dhe mos ki frikë se do të të kapë Faraoni dhe as se do të fundosesh!”. – Pasi Musai e ftoi Faraonin nëpërmjet shenjave të dhëna nga Zoti, vazhdoi të qëndronte në Misir për t’i ftuar ata në Islam dhe për të punuar që të çlironte bijtë e Izraelit prej Faraonit dhe torturave e shfrytëzimit të tij. Megjithatë, Faraoni vazhdoi me arrogancë të refuzonte dhe të luftonte kundër të vërtetës. Ai ishte shumë i ashpër me bijtë e Izraelit. Allahu i paraqiti shumë shenja të mëdha, që na i tregoi në Kur’an. Bijtë e Izraelit nuk mund ta shfaqnin haptazi besimin e tyre, prandaj faleshin në shtëpitë e tyre dhe duronin shtypjen e Faraonit.
Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar deshi që t’i shpëtonte ata nga armiku i tyre dhe t’u mundësonte të jetonin të lirë, ta adhuronin Allahun haptazi dhe t’i zbatonin urdhëresat dhe ligjet e Tij në jetën e tyre. Kështu, Allahu i Madhëruar i shpalli Musait (a.s) që, së bashku me bijtë e Izraelit, të iknin sapo të hynte nata, që të mund të largoheshin sa më shumë dhe, atje ku do të shkonin, ta adhuronin Allahun haptazi dhe të zbatonin ligjet e Tij lirisht. Allahu i Madhëruar i njoftoi, gjithashtu, se Faraoni me ushtri do të viheshin në ndjekje të tyre. Kështu, sapo ra nata, të gjithë bijtë e Izraelit, me gra e fëmijë, u nisën. Kur çeli dita, në Misir nuk pipëtinte njeri.
Faraoni u xhindos nga zemërimi dhe dërgoi njerëz nëpër qytete, që të grumbullonte sa më shumë ushtarë në ndjekje të bijve të Izraelit. Ai ishte i vendosur që të shfrynte zemërimin e tij mbi ta. Por është Allahu Ai që ka në dorë çdo çështje dhe ishte Ai që e lejoi të mblidhej ushtria e Faraonit dhe të viheshin në ndjekje të bijve të Izraelit. Ndjekja filloi herët në agim. Allahu i Madhëruar thotë: “Kur dy grupet panë njëri-tjetrin, shokët e Musait thanë: “Na zunë!” [Shuara 61]. Ata po prisnin me frikë. Deti shtrihej përpara tyre, ndërsa nga pas tyre Faraoni i tërbuar, që mezi priste t’i shtinte në dorë. Por me ta ishte Musai, me zemër të qetë dhe i kthjellët në mendime, i sigurt me premtimin e Allahut. Ai tha: “Kurrsesi! Me mua është Zoti im dhe Ai do të më udhëzojë”. [Shuara 62].