Select Page

– “Pastaj (sipas urdhrit të Faraonit) thanë: “Këta të dy janë magjistarë, që duan t’ju nxjerrin nga toka juaj me magjinë e tyre …” – Ja pra këto ishin fjalët që ranë dakort se do t’ia thonë popullit. Kjo fjalë e thënë nga magjistarët para popullit ishte e ngjashme me fjalën e Faraonit thënë më parë. Ka mundësi që kjo përzgjedhje e fjalëve nga magjistarët të jetë rastësore, por ka mundësi që Faraoni t’u ketë dhënë urdhër atyre për t’i folur para popullit. Përveç fjalës së Faraonit ata shtuan edhe disa fjalë kur thanë:

– “… dhe ta zhdukin rrugën tuaj që, pa dyshim, është më e drejta.”. – Këto ishin fjalët që magjistarët ranë dakord të thoshin publikisht, për të nxitur njëri-tjetrin edhe më shumë kundër Musait. Ata thoshin: Musai, nga smira që ka për prestigjin dhe famën tuaj, kërkon të bëhet i famshëm dhe t’ju komandojë ju, që jeni aq të njohur me magjitë tuaja. Ai kërkon t’ju rrëmbejë famën dhe pasurinë, që ju fitoni me magjinë, duke dalë kështu mbi ju.