– Musai Tha: “Dija për ata është te Zoti im, e shënuar, ashtu siç duhet, në një libër. Zoti im nuk gabon asnjëherë e as nuk harron asnjëherë”. – Allahu i ka ruajtur të gjitha veprat e tyre, të mira ose të këqija, dhe i ka shënuar në një libër madhështor, – Leuhi Mahfudh. Allahu i di me hollësi veprat e gjithësecilit. Asgjë nuk i shpëton diturisë së Zotit dhe Ai nuk harron kurrë. Ata popuj për të cilët po pyet bënë çfarë bënë dhe morën atë që merituan. Ata do të shpërblehen për veprat e tyre, prandaj pyetja jote për ta është e pakuptimtë dhe e pavend. Nëse shenjat e mrekullië që të treguam janë të vërteta prej Zotit, dhe të tilla janë, atëherë bindju të vërtetës dhe ftesës që po të jepet dhe largohu nga mohimi e padrejtësia! Lëre këtë polemikë të kotë! Gjithashtu, nëse pretendon se ato argumente nuk mjaftojnë, atëherë biseda është e hapur dhe ti mund të sjellësh argumente, që të hedhësh poshtë argumentet e mia! Me shmangie nga biseda, nuk ke për të shpëtuar! Allahu na njofton se Faraoni ishte i sigurt për vërtetësinë e Musait si profet, por sërish e mohoi. Allahu thotë: “Ata i mohuan ato (argumentet) në mënyrë të padrejtë e me mendjemadhësi, edhe pse ishin të bindur dhe të sigurt në to (se ishin nga Zoti). Shikoje se cili ishte fundi i shkatërrimtarëve!” [Neml 14]. Prandaj dhe Musai i tha: “Ti e di me siguri të plotë se ato (mrekullitë) nuk i zbriti askush tjetër përveç Zotit të qiejve e të Tokës. Ai i zbriti ato të dukshme, e unë besoj, o Faraon, se ti je i shkatërruar.”. [Isra 102]. Nga kjo kuptohej qartë se ai po tregohej kokëfortë dhe i padrejtë në polemikën e tij. Qëllimi i tij ishte thjesht madhështia dhe tirania në Tokë.