Select Page

– “Paria arrogante e popullit të tij tha: …” – Udhëheqësit dhe fisnikët e popullit ishin të dehur në pasionin e tyre. Kur iu paraqit e vërteta dhe u ftuan që ta pranojnë e të jetojnë sipas saj, ata e gjykuan si të papranueshme, sepse binte ndesh me dëshirat dhe shfrenimin e tyre. Kështu, me arrogancë, i drejtohen profetit Shuajb dhe i thonë:

– “O Shuajb! Kthehuni në fenë tonë! Ndryshe, do t’ju dëbojmë nga qyteti – ty dhe ata që të besojnë ty.”.” – Kështu, ata demonstruan egërsi ndaj besimtarëve, duke mos pyetur për asnjë lloj norme, qoftë fetare, fisnore apo çfarëdo norme tjetër. Ata ndoqën mendjen e tyre të sëmurë.

Ata e vunë Profetin dhe besimtarët para një zgjedhje të tillë: ose besoni atë që besojmë ne, ose do t’ju dëbojmë nga vendi ynë. Shuajbi (a.s.) përpiqej t’i  ftonte atë në rrugën e Zotit, duke shpresuar që ata të logjikonin drejt, ndërsa ata i dhanë ultimatumin për t’u larguar nga atdheu i tyre, të cilin besimtarët e meritonin më tepër që ta gëzonin. I çuditur nga ky veprim, Shuajbi u drejtohet me ca fjalë, që t’i  bënte të logjikonin si duhet.

– “Ai tha: “Edhe pse e urrejmë atë?” – A t’ju pasojmë në fenë e kotë, kur ne e urrejmë atë, sepse jemi të bindur për pavlefshmërinë e saj? Kjo është vërtet një ftesë e pakuptimtë. Në fakt, do të ishte e pranueshme që në atë fe të ftohej dikush që kishte njëfarë pëlqimi për të. Ndërsa  dikush  i cili e shfaq haptazi urrejtjen ndaj kësaj feje dhe besimi të pa bazë si dhe qortimin e fortë e me argument të qartë ndaj atyre që e pasojnë atë, është tejet e pa llogjikshme që të ftohet për ta pasuar atë.