Select Page

– “Musai Tha: “Zoti ynë është Ai që çdo gjëje i ka dhënë formën e vet (të krijimit) dhe pastaj e ka udhëzuar.”” – Zoti ynë është Ai që ka krijuar të gjitha krijesat, duke i dhënë secilit formën e përshtatshme, që tregon për bukurinë e urtësinë e Krijuesit. Dikë e krijoi të madh, dikë të vogël e dikë të mesëm, në çdo cilësi e atribut. Pasi i krijon, Allahu e udhëzon çdo krijesë në qëllimin për të cilin e ka krijuar. Ky është udhëzimi i përgjithshëm, që mund të shihet në të gjitha krijesat. Çdo krijesë duket qartë që vepron ashtu si i përshtatet krijimit të vet, për të arritur dobitë e veta e për t’u ruajtur nga çdo e keqe. Madje edhe kafshëve u është dhënë një udhëzim i tillë, për t’iu mundësuar të arrijnë të mirat e të ruhen nga të këqijat.

Kjo ngjan me ajetin tjetër kuranor: “Është Ai i cili e përsosi krijimin e çdo gjëje…”. [Sexhde 7]. Allahu jo vetëm që i krijoi, por edhe e përkreu dhe e zbukuroi krijimin e tyre. Askush nuk mund të bëjë diçka më të përkryer dhe të bukur se ajo që ka bërë Zoti. Ai i udhëzon krijesat tek më e dobishmja për ta. Allahu është Krijuesi, Furnizuesi e Sunduesi, dhe kushdo që mohon këtë fakt është njëlloj si të ketë mohuar çdo gjë që ekziston. Mohimi i Zotit në fakt është arrogancë, kokëfortësi dhe këmbëngulje në të kotën. Nëse dikush mohon ekzistencën e gjërave që dihet botërisht se ekzistojnë, madje dëshmohen edhe nga shqisat, ky veprim do të konsiderohej si mendjelehtësi, arrogancë e këmbëngulje në kotësi. Mohimi i Zotit është më i keq dhe më i padrejtë se ky lloj mohimi. Kështu, kur Faraoni nuk mundi të hidhte poshtë këtë argument të prerë dhe të padiskutueshëm, iu shmang bisedës dhe filloi të polemizonte jashtë temës, për t’iu larguar qëllimit bazë.