– “Ja. Atëherë, kur nënën tënde e frymëzuam (dhe i thamë) “Vëre (fëmijën) në arkë dhe hidhe (arkën) në lumë! Lumi do ta nxjerrë në breg dhe atë do ta marrë armiku Im dhe i tij.” – Ne e frymëzuam nënën tënde, që të të vendoste ty në djep dhe të të lëshonte në lumë. Ajo duhej ta bënte këtë, sepse Faraoni urdhëroi që të vriteshin të gjithë djemtë e Izraelitëve.
Ajo e vendosi Musain e vogël në një sënduk dhe e lëshoi në rrjedhën e lumit Nil. Nga ana tjetër, Allahu e urdhëroi lumin që ta nxirrte foshnjën në breg, madje bëri që të binte në dorën e armikut të tij më të përbetuar, Faraonit, dhe të rritej mes fëmijëve të pallatit. Allahu bëri që Musain ta donin të gjithë ata që e shihnin, prandaj thotë më pas:
– “Por Unë hodha (në zemra të njerëzve) dashuri ndaj teje, …” – Pra, çdokush që e shihte e donte shumë.
– “… që të edukoheshe nën Syrin (kujdesin) Tim.”. – U rrite nën vëzhgimin, ruajtjen dhe përkujdesjen Time të veçantë. E ku ka përkujdesje më të mirë e të plotë sesa përkujdesja e Bamirësit Mëshirëplotë?! Ai është që kujdeset më së tepërmi t’i dhurojë robit të Tij të mira e ta ruajë nga të këqijat. Në çdo moment të jetës së Musait (a.s), ishte Allahu i Madhëruar Ai që përkujdesej dhe i rregullonte çështjet për të mirën e Musait (a.s).
Prej kujdesit të Allahut ishte edhe rasti kur Musai ra në dorën e armikut më të përbetuar dhe zemra e nënës së tij ngriu nga frika, sepse Faraoni gati e zbuloi se ishte fëmija e saj, por Allahu e forcoi zemrën e saj. Në këtë gjendje, Allahu bëri që Musai i vogël të mos pranonte asnjë gjidhënëse tjetër, veç nënës së vet natyrale. Në këtë mënyrë, Allahu e ktheu Musain në duart e nënës së vet, që ta pushtonte me dashuri dhe t’i jepte gji. Zemra e nënës u qetësua dhe syri i saj u kënaq, teksa e shihte të birin duke u rritur. Kur Musait i ofruan disa gjidhënëse e ai nuk i pranonte, ndodhi diçka: