– “Edhe në Medjen dërguam vëllanë e tyre, Shuajbin.” – Për popullin e njohur të Medjenit u dërgua profeti Shuajb, i cili ishte me ta vëlla nga gjaku. Shuajbi i ftoi ata të adhuronin Allahun e Lartësuar si Një të Vetëm dhe të Pashoq dhe, në mënyrë të veçantë, i këshillonte që të masnin dhe peshonin drejt e të mos cenonin të drejtat e njerëzve. Me butësi dhe urtësi u thoshte:
– “Ai u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër veç Tij, që meriton të adhurohet. Tani ju ka ardhur Shenjë e qartë nga Zoti juaj. Matni dhe peshoni me saktësi! Mos i nënçmoni pasuritë e njerëzve dhe mos shkaktoni çrregullime në tokë pas rregullimit të saj!” – Ai i këshillonte që të mos bëheshin shkatërrues në tokë, duke bërë gjynahe dhe duke shkelur kufijtë e Allahut të Madhëruar. Zbatimi i porosive dhe ligjeve të Zotit është gjëja më e mirë për shoqërinë, sikur njerëzit të logjikonin drejt:
– “Këto janë më të dobishme për ju, nëse jeni besimtarë.” – Lënia e gjynaheve dhe zbatimi i porosive të Zotit sjellin vetëm mbarësi. Kjo është më e mirë se kryerja e veprave që e zemërojnë të Madhërishmin dhe sjellin ndëshkimin e Zjarrit.