– “Shpërblimi i tyre është Xhehenemi, për shkak se nuk besojnë dhe i marrin për tallje argumentet dhe të dërguarit e Mi.” – Asgjësimi i punëve të tyre është një shpërblim i merituar. Ditën e Gjykimit, veprat e tyre të mira nuk do të kenë asnjë peshë. Ata janë shumë të pështirë dhe të poshtëruar, sepse kanë mohuar ajetet e Allahut dhe janë tallur me shpalljet dhe me profetët.
Është e detyrueshme që shpalljet dhe profetët e Zotit të respektohen dhe të besohen plotësisht. Ato duhen zbatuar e jetuar me sinqeritet, por këta të mjerë bëjnë tërësisht të kundërtën, prandaj shkatërrohen dhe zhyten në ndëshkim. Pasi përmendi përfundimin e mohuesve dhe të veprave që meritojnë këtë përfundim, Allahu i Madhëruar flet në vijim për përfundimin e besimtarëve dhe të veprave të tyre të mira.