Select Page

– “Te populli i Themudit dërguam vëllanë e tyre, Salihun …” – Themudët ishin një popull i njohur që jetonin në El Hixhër, zonën rreth Hixhazit, në Gadishullin Arabik. Allahu i Madhëruar dërgoi tek ata profetin Salih (a.s.), i cili i ftoi në monoteizëm dhe për largim nga idhujtaria.

– “… Ai u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër veç Tij, që meriton të adhurohet.” – Ftesa e profetit Salih (a.s.) ishte e njëjtë me atë të të gjithë vëllezërve të tij profetë: të adhurohet vetëm Allahu si Zot, sepse vetëm Ai e meriton të adhurohet me sinqeritet. Për këtë çështje kaq të rëndësishme, ai u solli atyre fakte e argumente të shumta nga Allahu i Madhërishëm.

– “Tani ju ka ardhur argument i qartë nga Zoti juaj.” – I Madhëruari u solli një ngjarje të jashtëzakonshme, një mrekulli të madhe. Ajo ishte një shenjë qiellore, që nuk mund të vinte prej njeriut. Pastaj Profeti shpjegoi se çfarë ishte kjo mrekulli prej Zotit:

– “Kjo deve është Shenjë për ju.” – Kjo ishte një deve e mrekullueshme dhe tejet e rëndësishme, aq sa i Madhëruari e quajti “nakatull-llahi” “deveja e Allahut”. Ajo shërbente si një shenjë madhështore e vërtetësisë së Shpalljes së Zotit dhe sinqeritetit të Profetit të Tij Salih. Allahu i Madhëruar urdhëroi që kjo deve të trajtohej në mënyrë të veçantë. Kështu, në një ajet tjetër tregohet: “Ai tha: “Kjo është deveja. Ajo do të pijë në një ditë të caktuar, kurse ju një ditë tjetër.”

Ata kishin një burim me ujë të bollshëm, që edhe sot njihet si Burimi i Devesë. Ata u urdhëruan që atë burim një ditë ta përdornin ata dhe një ditë tjetër të ishte tërësisht në shërbim të devesë. Megjithatë, ditën që ata nuk do të merrnin ujë prej burimit, mund të ushqeheshin me qumështin e asaj deveje të begatshme. Përveçse si mrekulli, kjo do të shërbente edhe si shenjë kujtuese për detyrimet ndaj Zotit dhe bindjen ndaj Tij. Profeti i porositi ata duke u thënë:

– “Lëreni atë të lirë të kullotë në tokën e Allahut dhe kini kujdes të mos e lëndoni aspak, sepse pastaj do të pësoni një dënim të dhembshëm!” – Ju nuk jeni të detyruar që të siguroni ushqimin e saj. Thjesht, lëreni të hajë në tokën e Zotit dhe mos e lëndoni. Nëse e dëmtoni atë, mbi ju do të godasë dënimi i dhembshëm i Zotit të Plotfuqishëm.