Select Page

– “Por, Zoti yt fal shumë dhe ka mëshirë të madhe. Sikur t’i ndëshkonte (menjëherë) për atë që kanë vepruar, do t’ua përshpejtonte dënimin.” – Allahu i përfshin ata me mëshirë dhe i mbulon me mirësitë e Tij. Nëse Zoti do t’i ndëshkonte krijesat për të gjitha gjynahet e tyre, që janë të shumta, Ai do t’ua jepte ndëshkimin që në këtë jetë. Por Allahu është Halim – i Mëshirshëm dhe i Butë, që kurrë nuk nxitohet për t’i ndëshkuar gjynahqarët edhe pse e ka pushtetin për këtë, por i afatizon me kohë të mjaftueshme për t’u penduar dhe për të ndryshuar. Por gjynahet do të lënë gjurmët e tyre të këqija, edhe nëse këto gjurmë mund të vonohen në kohë, prandaj i Madhëruari thotë:

Por ata i pret koha e premtuar (për llogari), nga e cila nuk kanë për të gjetur strehim.” – Është një vend dhe një kohë e premtuar, kur ata do të shpërblehen për veprat e tyre. Ata nuk mund t’i shmangen këtij vendimi dhe askush nuk mund t’i mbrojë. Ky është rregulli i pandryshueshëm i Zotit për të parët dhe të fundit. Ai nuk nxitohet për t’i dënuar, por i fton ata për t’u kthyer tek Ai të penduar. Nëse kthehen të penduar dhe me keqardhje për gjynahet e tyre, Ai ua fal gjynahet dhe i mëshiron. Por nëse ata vazhdojnë me padrejtësitë dhe inatin e tyre derisa vjen koha e ndëshkimit, atëherë nuk ka më shpëtim për ta.