Select Page

– “Në këtë Kur’an, Ne u kemi shpjeguar njerëzve çdolloj shembulli, …” – Allahu i Madhëruar na njofton rreth madhështisë së Kur’anit dhe gjerësisë së mësimeve të tij. Ai është një Libër gjithpërfshirës dhe Allahu i Madhëruar ka sqaruar në të çdo çështje të rëndësishme. Në të është sqaruar çdo rrugë që të çon në dituri të dobishme dhe në lumturinë e përjetshme. Në të përmendet çdo rrugë që të ruan nga e keqja dhe shkatërrimi. Në të sqarohen hallalli dhe harami, jepet dhe sqarohet se si do të bëhet shpërblimi i punëve të robëve.

Në të ka kujtim dhe inkurajim për çdo punë të mirë dhe kërcënim e paralajmërim për t’u ruajtur nga çdo punë e keqe. Në të ka lajme e histori të vërteta dhe shumë të dobishme për zemrat. Në të sqarohet besimi i pastër dhe korrekt ashtu siç e do Zoti. Ky libër sjell qetësinë e prehjen në shpirtrat e atyre që besojnë dhe sjell dritë me të cilën ata shohin dhe ecin në rrugën e drejtë. Ky përshkrim i Kur’anit duhet të bëjë që zemrat t’i dorëzohen këtij Libri dhe ta pranojnë e ti nënshtrohen për t’u bindur urdhëresave dhe ligjit të sjellë në të.

Njerëzit duhet ta pranojnë tërësisht këtë Kur’an dhe nuk duhet ta kundërshtojnë Atë në asnjë çështje e gjykim të sjellë në të. Megjithatë, shumë nga njerëzit polemizojnë për të vërtetën edhe pasi u është bërë e qartë dhe e kundërshtojnë këtë Kur’an nëpërmjet kotësive dhe ligësive. Nëpërmjet të kotës ata duan të hedhin poshtë të vërtetën. Prandaj tha:

– “… por njeriu kundërshton më shumë se çdo kush tjetër.” – Pra njeriu polemizon dhe kundërshton kumtet e këtij Kur’ani. Atyre nuk u takon ta bëjnë një gjë të tillë. Kjo është e padrejtë e jo me vend. Mosbesimi i tyre në Zotin dhe në këtë Kur’an është produkt i padrejtësisë dhe i rebelimit që ka pushtuar dhe mbushur zemrat e tyre dhe aspak ndonjë mangësi e paqartësi në këtë Kur’an madhështor. Argumentet e tij janë shumë të qarta dhe të pakundërshtueshme. Mos vallë po presin që t’u vijë ndëshkimi dhe ato fatkeqësi që u zbritën popujve të shkuar? Nëse do t’i mendonin dhe do të mernin mësim nga historitë e popujve të shkuar sigurisht që gjendja e tyre do të ndryshontë. Prandaj tha: