Select Page

– “Kur u thamë melekëve: “Bëni sexhde për Ademin!”, ata ranë në sexhde, përveç Iblisit …” – Allahu i Madhëruar na tregon rreth Iblisit dhe armiqësisë së tij kundër Ademit dhe pasardhësve të Tij. Allahu i urdhëroi melekët e Tij që të binin në sexhde para Ademit, në formë përshëndetjeje, nderimi e respekti për Ademin, për gradën që gëzonte tek Allahu. Ata të gjithë ranë në sexhde, si bindje ndaj urdhrit të Zotit, përveç Iblisit.

– “Ai qe një nga xhindet dhe nuk e respektoi Urdhrin e Zotit të vet.”. – Iblisi i tha Allahut: “Si mundet që unë t’i bie në sexhde atij që Ti e krijove nga balta?! Unë jam më i mirë se ai.”. Duke dëgjuar këtë, ne e kuptojmë më mirë armiqësinë e tij të betuar kundër Zotit, kundër babait të njerëzimit, Ademit (a.s.), dhe kundër të gjithëve ne. Atëherë, si është e mundur që disa njerëz e bëjnë mik shejtanin dhe ndjekësit e tij?! Allahu i Madhëruar thotë:

– “Vallë, a në vend Tim, do ta konsideroni si mik atë dhe pasardhesit e tij, ndërsa ata janë armiqtë tuaj?! Sa këmbim i shëmtuar dhe i padrejtë është ky!” – Shumë e keqe është kjo zgjedhje që bëjnë ata. Ata zgjedhin shejtanin si mikun dhe mbështetësin e tyre, duke ia besuar çështjet e tyre dhe duke iu nënshtruar urdhrave të tij. Ai i mallkuar urdhëron veçse për poshtërsi dhe ligësi. Ata nuk kanë dashuri për Rrahmanin dhe nuk ia besojnë Atij çështjet e tyre. A nuk e dinë ata të mjerë se e gjithë lumturia e suksesi janë të lidhura ngushtë me mbështetjen e plotë te Zoti dhe me përzgjedhjen e Tij si Mbrojtës dhe të Dashur?

Ai që synon lumturinë në të dyja botët e ndërton jetën vetëm sipas urdhrave të Tij. Në këtë ajet është një urdhër i qartë për ta konsideruar shejtanin si armik, duke përmendur edhe shkakun për një urdhër të tillë. Allahu i Madhëruar na tregon se shejtanin e quajnë si mik veçse keqbërësit e zhytur në padrejtësi dhe poshtërsi. E ku ka padrejtësi më të madhe sesa ta konsiderosh si mik pikërisht atë që është armiku yt i përbetuar dhe, nga ana tjetër, të shpërfillësh kujdesin dhe mbrojtjen e Zotit, që është më i miri Mbrojtës, i Lavdëruar e Mëshirëplotë?!

I Lartësuari thotë: “Allahu është Mbrojtësi (i dashur) i atyre që besojnë dhe i nxjerr ata prej errësirave në dritë. Për ata që nuk besojnë kujdestarë janë shejtanët, të cilët i nxjerrin ata prej drite për t’i futur në errësira. Këta janë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përjetësisht.” [Bekare 257]. “Një pjesë Ai e udhëzoi në rrugë të drejtë, ndërsa pjesa tjetër e meritoi të jetë e humbur. Në të vërtetë, ata kanë zgjedhur për miq shejtanët në vend të Allahut dhe mendojnë se janë të udhëzuar në rrugë të drejtë.” [Araf 30].