Select Page

– “Paria e jobesimtarëve nga mesi i popullit të tij thanë: “Ne po të shohim se ti je një mendjelehtë. Madje ne mendojmë se ti je një gënjeshtar.”” – Ata të cilët e refuzuan ftesën e profetit të tyre, duke shpërfillur edhe argumentet e tij, thanë: “Për ne je njeri mendjelehtë dhe një gënjeshtar. Ne të gjykojmë si njeri të mefshtë dhe të palogjikshëm, që nuk di se ç’është e drejta. Ne besojmë se ti  je mashtrues e gënjeshtar.” Subhan-Allah, çfarë ndodh kur realiteti tjetërsohet! Çfarë ndodh kur verbëria ndaj fakteve dhe mrekullive prek logjikën e njeriut! Ata shpifën ndaj profetit të tyre duke e akuzuar për sjellje që ishin pikërisht karakteristikë e tyre. Mendjelehtët dhe mashtruesit ishin pikërisht ata.

E ku ka më mendjelehtë se ai që, të vërtetën absolute e hedh poshtë si një trillim dhe i cili e refuzon jetën sipas saj?! Këta të mjerë tregoheshin kryeneçë e mospërfillës ndaj këshilluesve dashamirës, që udhëzonin tek e mira dhe e drejta, ndërsa nga ana tjetër, nënshtroheshin me trup e me shpirt ndaj urdhrave të çdo shejtani të shfrenuar. Ata ua dedikonin adhurimin atyre që nuk e meritonin dhe nga të cilët nuk kishin asnjë mirësi. Ishin ata mendjelehtët, që adhuronin gurë, pemë apo çdo krijesë tjetër të Zotit, dhe kundërshtonin vetë Zotin Krijues, i Cili është i vetmi që e meriton të adhurohet në qiej dhe në tokë.