– “Lexo atë që të është shpallur ty nga Libri i Zotit tënd!” – Et-tilâuetu vjen me kuptimin “lexim”, por vjen edhe me kuptimin “ndjekje e pasim rigorozisht” i diçkaje. Kështu, Allahu na urdhëron që ta pasojmë rigorozisht Kur’anin, që ia shpalli Profetit. Ky pasim duhet të mbështetet mbi njohjen e thellë të kuptimeve të këtij Libri.
Ngjarjet që rrëfehen në të duhet të besohen, ndërsa porositë e tij duhet të zbatohen. Kufijtë dhe ndalesat e tij duhet të respektohen. Askush nuk mund ta ndryshojë Kur’anin. Askush nuk mund ta cenojë vërtetësinë e rrëfimeve dhe drejtësinë e ligjeve të Kur’anit. Ky Libër ka gradën më të lartë të bukurisë dhe vërtetësisë.
– “Askush nuk mund t’i ndryshojë fjalët e Tij …” – Duke qenë se janë të përkryera në vërtetësinë dhe drejtësinë që kumtojnë, ajetet e Kur’anit janë të sigurta nga ndryshimi dhe tjetërsimi. Kjo mund të ndodhte vetëm nëse do të kishte mangësi. Ky ajet është një lavdërim për vlerën e lartë të Kur’anit dhe nxitje për t’u përkushtuar në leximin, studimin dhe pasimin e tij.
– “… dhe ti nuk do të mund të gjesh asnjë strehë (e mbrojtje) përveçse tek Ai.” – Përveç Zotit tënd, nuk ke për të gjetur strehim e mbrojtje dhe as ndihmë e mbështetje. Duke qenë se Allahu është i vetmi që ofron mbrojtje e strehim nga çdo e keqe dhe i vetmi që të mbështet për arritjen e çdo të mire, atëherë është detyrë që ta njësojë Atë si të vetmin Zot të denjë për t’u adhuruar, tek i cili shpreson dhe të cilit i druhet. Zoti është i vetmi të cilit duhet t’ia kesh frikën haptazi e fshehtazi.
Krijesat janë tërësisht të varura dhe të varfra ndaj Tij në çdo aspekt e në çdo gjendje. Vetëm Atij i duhen drejtuar të gjitha lutjet, me të dyja mënyrat e të luturit, për të gjitha çështjet.