– “Pa shtuar: “Në dashtë Allahu.” – Së treti, përmendja e lejes dhe dëshirës së Zotit përpara si kusht për realizimin e dëshirës tënde tregon edukatën me Zotin nga njëra anë, por edhe sjell lehtësim dhe bereqet, sjell plotësim e ndihmë për realizimin e saj, nga ana tjetër. Kur thotë “insha-Allah”, njeriu tregon se po i mbështetet Allahut. Por duke qenë se njeriu është i prirur të harrojë, ndodh që ai të mos e thotë këtë fjalë ndonjëherë, prandaj Allahu e urdhëron që ta përmendë këtë më pas, kur të kujtohet, dhe kështu shlyhet gabimi, siç thotë Allahu:
– “E, kur të harrosh, përmende Zotin tënd …” – Nëse harron në fillim, përmende Allahun atëherë kur të kujtohesh. Kështu porositet çdokush që harron, në mënyrë që gjithmonë të kujtojë Zotin dhe të mos bëhet neglizhent. Njeriu gjithmonë ka nevojë për Zotin, që Ai ta drejtojë e udhëzojë në çdo fjalë e punë që kryen dhe ta ruajë nga gabimet dhe devijimet, prandaj Zoti e urdhëron të thotë:
– “… dhe thuaj: “Shpresoj se Zoti im do të më japë një udhëzim edhe më të mirë.”! – Ajeti urdhëron që njeriu ta lusë Zotin e të shpresojë tek Ai, të ketë besim e siguri të plotë në Të se Ai do ta udhëzojë në rrugën më të shkurtër dhe më të mirë për arritjen e së mirës dhe mbarësisë. Njeriu, i cili ka të tilla cilësi e dobësi, duhet patjetër t’i kërkojë Zotit udhëzimin dhe mbarësinë, në mënyrë që Ai t’i japë sukses. Le t’i përgjërohet Zotit që ta ndihmojë dhe t’i japë udhëzimin e drejtë në të gjitha çështjet.