– “Kështu, Ne i zgjuam ata që të mund ta pyesnin njëri-tjetrin (se sa gjatë kishin fjetur).“ – I zgjuam nga gjumi i gjatë, që ata të gjenin se sa kishte zgjatur qëndrimi i tyre në shpellë.
– “Njëri prej tyre foli e tha: “Sa keni ndejur këtu?” Ata thanë:”Kemi ndejur (ndoshta) një ditë ose një pjesë të ditës.” – Ky ishte një gjykim. Me sa duket, ata patën mendime të ndryshme për këtë çështje. Duke qenë se kishin mospërputhje, ata thanë:
– “(Më në fund) ata thanë: “Zoti juaj e di më së miri se sa keni ndejur këtu. …” – Ata u kthyen tek Ai që i di të gjitha me hollësi. Mbase, pas kësaj, Allahu i Madhëruar ua bëri të qartë kohën e saktë të qëndrimit. Fillimisht, Ai i bëri që të diskutonin mes njëri-tjetrit për këtë. Pasi dhanë mendimet e tyre me aq sa dinin dhe nuk arritën në përfundim të qartë, pa dyshim që Zoti do t’ua ketë treguar të vërtetën. Kjo përkon edhe me urtësinë e Tij në zgjimin e tyre nga ai gjumë i thellë, sepse Allahu nuk e bën diçka kot dhe pa urtësi.
Gjithashtu, Allahu është i mëshirshëm me ata që kërkojnë diturinë rreth gjërave të domosdoshme për t’u mësuar dhe bëjnë ç’të munden për arritjen e këtij qëllimi. Prej mëshirës së Tij, Ai ua jep këtë dituri atyre që hulumtojnë dhe e kërkojnë. Kjo kuptohet edhe nga fjala e Tij: “Dhe kështu bëmë, që ata të zbuloheshin e që të kuptohet se premtimi i Allahut është i sigurt dhe se Kijameti pa dyshim që do të ndodhë.” [Kehf 21].
Populli e dinte mirë gjendjen e tyre, prandaj ata do të shërbenin si argument për ringjalljen. Pasi diskutuan dhe pyetën njëri-tjetrin rreth kohës sa qëndruan, ata dërguan njërin prej tyre që t’u sillte ushqim, madje më të shijshmin dhe më të mirin:
– “Tani dërgojeni njërin prej jush me këto monedha (argjendi) në qytet, që të zgjedhë ushqimin më të mirë dhe t’jua sjellë juve. Dhe le të ketë shumë kujdes e mirësjellje e të mos i japë të kuptojë askujt për ju!” – Ata e porositën shokun për të qenë i kujdesshëm që mos binte në sy, sepse kjo do të përbënte rrezik të madh për ta, siç thanë më pas: