Select Page

Ne i forcuam zemrat e tyre …” – Ua mbushëm zemrat me durim e qëndrueshmëri në të vërtetën. I bëmë ato të kënaqura dhe të mbushura me prehje të plotë, me gjithë gjendjen e vështirë ku ndodheshin. Kjo tregon butësinë, mëshirën dhe bamirësinë e Allahut me ta, që ua lehtësoi rrugën e imanit dhe u dhuroi udhëzimin e plotë. Ai u dhuroi durim, qëndrueshmëri dhe qetësi, me besimin në zemër.

… dhe ja ata u ngritën dhe thanë: “Zoti ynë është Zoti i qiejve dhe i Tokës.” – Allahu është Ai që na ka krijuar, na furnizon, rregullon e administron çështjet tona. Ai përkujdeset për ne, na edukon dhe përmirëson gjendjen tonë në çdo çast. Ai është Krijuesi i qiejve dhe Tokës, i Vetmi Krijues i të gjitha këtyre krijesave madhështore.

Ndërsa idhujt janë krijesa të dobëta, nuk kanë krijuar asgjë dhe nuk furnizojnë asnjë. Ata nuk sjellin dëm e as dobi, as japin jetë, nuk mund ta marrin atë dhe as mund të ringjallin. Kështu, të rinjtë argumentuan për vërtetësinë e uluhije-s, me faktin se Allahu është i vetmi në aspektin e rububije-s. Domethënë, duke qenë se Allahu është i vetëm në rububije, atëherë ne e njësojmë Atë edhe në uluhije, pra, në meritën e adhurimeve. Ata thanë:

Ne kurrë nuk do të adhurojmë asnjë zot tjetër përveç Tij …” – Ne nuk kemi për t’iu drejtuar me lutje asnjë krijese, sepse do të ishte gabim i pafalshëm.

– “… Po ta bënim këtë do të thoshim një gënjeshtër të shëmtuar.” – Do të ishte një devijim i madh nga e vërteta dhe nga rruga e drejtë. Të rinjtë e mençur besuan bindshëm në teuhidin rububije dhe uluhije dhe iu përmbajtën fort këtij besimi.

Nga ana tjetër, ata treguan se ishin shumë të qartë se njësimi i Zotit është rruga e drejtë, ndërsa çdo gjë tjetër e ndryshme nga ai është largim nga rruga e drejtë dhe kotësi. Kjo tregon se sa e plotë ishte dituria e tyre rreth Zotit dhe se Zoti ua kishte dhënë të plotë udhëzimin e drejtë dhe ua kishte forcuar besimin në zemrat e tyre.