Select Page

Kurrë mos mendo se historia e djemve të shpellës ishte nga shenjat tona më të çuditshme dhe të pashembullta. Megjithatë, Allahu i Madhëruar ka sjellë shenja edhe më të mëdha se këto, në aspekte të ndryshme. Allahu i Madhëruar u sjell njerëzve shenja të shumta si në ambientin që i rrethon, ashtu edhe në veten e tyre, derisa t’u bëhet e qartë se ky Kur’an është i vërtetë dhe derisa t’u bëhet e qartë e vërteta nga e kota, udhëzimi nga humbja.

Ky ajet nuk duhet kuptuar gabim: domethënë, edhe historia e djemve të shpellës është nga shenjat e çuditshme dhe madhështore që ka sjellë Zoti, por jo më e madhja. Si ajo ka patur shenja të shumta. Për këtë arsye, çudia pa fund nga kjo histori nuk është me vend. Besimtari mediton në të gjitha shenjat dhe mesazhet e Zotit, ashtu siç i ka ftuar Ai.

Në fakt, ato janë çelës për të hapur rrugët e imanit në zemrën e njeriut. Ato janë rrugë të hapura drejt diturisë së dobishme dhe arritjes së jekin-it, sigurisë në besim. Allahu i quan të rinjtë “banorë të shpellës”, sepse ata qëndruan një kohë shumë të gjatë atje.