Select Page

– “Ai u tha: “O populli im! Unë nuk jam aspak i përhumbur …” – Jo, nuk jam i humbur apo i gabuar në këto që po ju them, por jam tërësisht i udhëzuar nga Allahu i Madhëruar. Udhëzimi i Nuhut ishte i një niveli të lartë, madje edhe mes profetëve. Një udhëzim i tillë iu dhurua pesë profetëve më të zgjedhur të të gjithë kohërave.

– “… por jam një i dërguar prej Zotit të botëve.” – Unë jam i dërguari i Atij që është Zoti im, i juaji dhe i të gjitha krijesave. Unë jam i dërguari besnik i Atij që përkujdeset dhe rregullon çështjet e krijesave. Përkujdesi më i madh dhe më i rëndësishëm që Allahu ka treguar është pikërisht dërgimi i profetëve, që t’i  udhëzonin robërit në rrugën e mbarë e t’u mësonin atyre çdo gjë të nevojshme, që mundëson lumturinë në të dyja jetët. Ata u mësuan popujve se ç’janë veprat e mira, ç’është morali i lartë, ç’është besimi i pastër dhe i drejtë dhe çfarë janë veprat e këqija e besimet e kota.