Select Page

– “Kur e begatojmë njeriun (me të mira), ai prapësohet (nga besimi) dhe largohet (nga Rruga e Drejtë). – Kjo është natyra e njeriut, si krijesë e dobët, e prirur drejt injorancës dhe padrejtësisë. Përjashtim bëjnë vetëm ata që Allahu i Madhëruar i udhëzon. Kur Allahu e begaton me të mira, njeriu gëzohet, dhe e tepron me gëzimin e tij, duke u bërë arrogant. Kjo e bën atë që t’i kthejë shpinën e të largohet nga Zoti i tij: as nuk e kujton Atë e mirësitë e Tij dhe as nuk tregon mirënjohje për to.

– “Kur e godet e keqja, ai e humb shpresën.” – Kur atë e godet ndonjë sprovë, si për shembull sëmundje, e shikon atë pesimist të plotë, që nuk pret më asnjë të mirë. Kështu, Ai nuk shpreson më te Zoti i vet dhe mendon se halli në të cilin ndodhet do të vazhdojë përgjithmonë e nuk do të largohet prej tij. Por nuk janë kështu ata që Allahu i ka udhëzuar.

Këta të zgjedhur dhe fatlumë, kur janë mes mirësive, nënshtrohen para Zotit të tyre, për t’i shprehur Atij mirënjohjen me adhurime e me vepra që Ai ka përcaktuar për këtë çështje. Ndërsa kur janë në sprovë e vështirësi, shpresojnë në shpëtimin dhe mëshirën e Allahut për t’ua larguar atë. Kjo ua lehtëson sprovat dhe u sjell qetësi e prehje, urtësi e maturi.