– “Dhe thuaj: “O Zoti im! Më fut në një vend të mirë (në Medine) dhe më nxirr (prej Mekes) në mënyrë të ndershme …” – Të gjitha hyrjet dhe daljet e mia bëji të mira! Bëji ato në emër të bindjes ndaj Teje dhe për kënaqësinë Tënde! Bëji ato të kryhen me sinqeritet, vetëm për kënaqësinë Tënde dhe sipas porosive e ligjeve të Tua!
– “… dhe më dhuro nga ana Jote fuqi ndihmëtare (kundër çdo armiku)” – Më jep argument të qartë e të dukshëm, më jep fakte të prera në të gjitha çështjet me të cilat përballem. Kjo është gjendja më e mirë që mund të arrijë robi në lidhjen e tij me Zotin. Kjo është ajo gjendje kur të gjitha veprat e fjalët e tij janë mirësi dhe afruese tek Allahu i Madhëruar.
Në këtë gjendje, në çdo çast robi do të jetë i mbështetur nga Zoti i tij me argument të qartë e të pakundërshtueshëm për të vërtetën që ai mëton. Sigurisht, kjo gjendje kërkon: së pari, që njeriu të jetë i pajisur me dije të dobishme dhe të jetojë sipas kësaj diturie; së dyti, që njeriu të ketë dituri të hollësishme rreth çështjeve të fesë dhe rreth argumenteve të Shpalljes.