Pas një sërë argumentesh rreth njëshmërisë së Tij, Allahu i Madhëruar vijon me historitë që flasin për profetët dhe thirrjen e tyre për nënshtrimin ndaj Allahut e për ta adhuruar Atë si një të vetëm. Këtu tregohet mospranimi i ftesës nga njerëzit e këqij dhe ndihma që Zoti u dha profetëve dhe pasuesve të tyre, që ishin njësues e të sinqertë. Allahu i shkatërroi kryeneçët, ata të cilët nuk u bindën dhe nuk ndoqën rrugën e profetëve të Tij.
Nga këto histori kuptojmë se mesazhi i të gjithë profetëve ka qenë i njëjtë. Thirrja e tyre ka qenë adhurimi i një Zoti të vetëm. Kështu e fillon Allahu i Madhëruar historinë e të parit profet të dërguar pas Ademit a.s, duke thënë:
– “Ne e dërguam Nuhun te populli i vet …” – Nuhu i ftoi ata të adhuronin një Zot të vetëm, sepse ata adhuronin idhujt.
– “… dhe ai u tha: “O populli im, adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër veç Tij, që meriton të adhurohet.” – Adhuroni Allahun si Një, të Vetëm dhe të Pashoq, sepse Ai është Krijuesi, Furnizuesi dhe Rregulluesi i të gjitha çështjeve, ndërsa gjithçka tjetër është krijesë e varfër, nevojtare dhe e nënshtruar, që nuk ka asgjë në dorë. Nëse nuk e bëni, dijeni se ju pret një ndëshkim i dhembshëm.
– “Unë kam frikë për ju dënimin e një Dite të madhe.” – Ky moment dëshmon kujdesin e madh të Nuhut (a.s)për të këshilluar popullin dhe dhembshurinë e tij ndaj tyre. Profeti Nuh i frikësohej ndëshkimit të ashpër të Zotit mbi ta. Të tillë ishin të gjithë profetët e Zotit. Ata ishin më të dhembshur për popujt e tyre sesa prindi për fëmijën. Kur Profeti (a.s)u tha këto fjalë, ata iu përgjigjën në formën më të shëmtuar.