Select Page

Është një shenjë treguese e mëshirës së Allahut dhe e faktit se Ai është i vetmi që meriton adhurimet se: kur njerëzit janë në rrezik në det, kur ata tmerrohen tek shohin valët që janë gati t’i gllabërojnë, atëherë harrohen ata të cilëve u luteshin gjatë kohës kur ishin të sigurt dhe në rehati; a thua se nuk u janë lutur ndonjëherë atyre! Ata humbasin nga kujtesa e tyre, sepse e dinë mirë se janë të pafuqishëm për t’i ndihmuar e për t’i shpëtuar nga rreziku. Në ato çaste ata ulërasin dhe i luten me përgjërim vetëm Shpikësit të qiejve dhe të Tokës, të Cilit i luten të gjitha krijesat për nevojat e tyre dhe gjatë vështirësive.

Në ato momente të vështira tregohen të sinqertë në lutjet që i drejtojnë Allahut. Megjithatë, pasi Ai i shpëton e i nxjerr në tokë, ata i kthejnë shpinën përsëri, duke e harruar se për çfarë i janë lutur Allahut. Ata i kthehen idhujtarisë, duke iu lutur sërish atyre krijesave që nuk mund t’u sjellin dobi ose dëm, nuk munden as t’u japin e as t’i privojnë. Ata humbasin sinqeritetin me Zotin, që është Krijuesi dhe Kujdestari i tyre. Ky është tregues i injorancës së madhe të njeriut dhe mohimit të tij. Njeriu është një mohues i madh i mirësive të Allahut, përveç atyre që Allahu i udhëzon dhe u dhuron logjikë të shëndoshë.

Këta arrijnë ta gjejnë udhën e drejtë dhe e dinë mirë se Ai që mund të të shpëtojë nga çdo rrezik dhe vështirësi është Allahu i Madhëruar. Vetëm Ai e meriton ta njësosh duke e adhuruar si Një të Vetëm, me sinqeritet për Të, në çdo gjendje, në vështirësi dhe rehati, në kohë mirësie dhe në kohë fatkeqësie. Ndërsa ata që janë lënë të mbështeten në mendjen e tyre të ngushtë i luten Allahut veçse në kohë vështirësie dhe nevoje. Me t’u larguar rreziku, ata mendojnë se Allahu nuk i ka më në kontroll dhe as që u shkon mendja për përfundimin e keq të padrejtësisë së tyre në jetën e kësaj bote, e shumë më pak mendojnë për ahiretin. Prandaj Allahu i Madhëruar i kujton ata, duke u thënë: