– “Thuaj: “Thërrisni (për ndihmë) ata, të cilët i menduat si zota përveç Tij!” – Idhujtarët kishin idhuj që i adhuronin ashtu si Allahun, duke iu lutur e përgjëruar atyre. Allahu i Madhëruar u drejtohet atyre që të mendonin se si të argumentonin besimin dhe pretendimet e tyre, nëse i besonin si të vërteta: Thirrini ata që i mendoni si zota përveç Tij! Lutjuni idhujve dhe shikoni se çfarë do t’ju sjellin!
– “Ata nuk mund t’jua largojnë fatkeqësitë dhe as nuk mund t’i (lehtësojnë e) zhvendosin ato (diku tjetër)”.” – Ata nuk mund të largojnë prej jush sëmundjet, varfërinë, vështirësitë e belatë. Jo vetëm që nuk mund t’i largojnë nga ju, por as nuk mund t’i zhvendosin ato prej jush tek dikush tjetër apo t’ua lehtësojnë disi. Nëse janë në këtë farë gjendjeje, të varfër e të pafuqishëm, atëherë përse u drejtoheni atyre me lutje?!
Vetëm Zoti është i Ploti dhe Absoluti në të gjitha drejtimet, ndërsa të gjithë të tjerët janë krijesa dhe, si të tillë, janë të mangët e të dobët, të varfër e nevojtarë. Ata nuk janë të plotë dhe nuk kanë asnjë mundësi e fuqi për të ndihmuar njeri.
Të konsiderosh ata si zota, që mund t’u lutesh, është cenim i themelit të besimit të drejtë, por është edhe cenim i logjikës e i mendjes së shëndoshë. Idhujtaria është mendjelehtësi e devijim nga natyra e pastër. Në sajë të praktikimit të vazhdueshëm dhe trashëgimit të saj ndër breza, nga etërit e humbur e të devijuar tek fëmijët e paditur, ndodh diçka e çuditshme;
Ajo fillon të trajtohet dhe të shihet nga këta pasues të verbër si besimi më i drejtë dhe logjika më e pranueshme. Ndërsa përkushtimin e fesë vetëm për Zotin e vërtetë, që është i Vetëm i pashoq, i vetmi që përkujdeset dhe u dhuron mirësi krijesave, ata e shohin si besim të gabuar.
Adhurimin e një Zoti të vetëm, që është edhe ftesa dhe mesazhi i të gjithë profetëve gjatë gjithë kohërave, idhujtarët e trajtojnë si mendjelehtësi dhe diçka nga e cila duhet të çuditesh. Ata thonë: “A mos kërkon ai t’i bëjë të gjithë zotat një Zot të vetëm?! Vërtet, kjo është gjë shumë e çuditshme!” [Sad 5]. Në vijim, i Lartësuari na njofton se edhe ata të cilët idhujtarët u përkushtohen në adhurime, janë të angazhuar me diçka shumë të rëndësishme. Ai thotë: