Allahu di për të gjitha krijesat në qiell e në Tokë. Çdokujt ka për t’i dhënë atë që meriton, ashtu siç e ka përcaktuar me urtësinë e Tij. Me diturinë e urtësinë e Tij, Ai ka vendosur dallime mes tyre si në aspektet fizike, ashtu edhe ato shpirtërore. Po kështu, Ai ka bërë dallime edhe mes profetëve, të cilët i bashkon fakti se janë transmetues të Shpalljes së Tij. Secilin nga ata Ai e ka dalluar me veçori të shumta.
Secili nga ata dallohet për moralin e lartë e përshkrime të lavdërueshme, me punë e fjalë të mira. Ai i ka dalluar edhe në drejtim të pasuesve të tyre, të shumtë a të paktë. Disave prej tyre, Allahu i ka shpallur libra të mëdhenj, që përmbajnë ligje dhe norma të besimit të drejtë. Kështu Daudit i dhuroi Zeburin, librin e njohur.
Atëherë, duke qenë se Allahu i Madhëruar dalloi shumë profetë më parë dhe disave prej tyre u dhuroi libër e shpallje të qartë, atëherë përse nuk e pranojnë mashtruesit e mohuesit faktin se edhe Muhamedit Allahu i Madhëruar i dhuroi Kur’anin dhe e bëri profet të zgjedhur?!