Select Page

Kur Ai t’ju thërrasë për ringjalljen dhe tubimin para Tij, me t’i rënë surit, ju do t’i përgjigjeni urdhrit të Tij dhe nuk do të mund ta shpërfillni. Allahu përmend një detaj bashkë me faktin që të gjithë do t’i përgjigjen urdhrit të Tij. Ai thotë: bi hamdihi – duke e lavdëruar, siç i takon Atij. Allahu është i lavdëruari për çdo gjë që vepron dhe Ai do t’i shpërblejë me drejtësinë dhe bamirësinë e Tij njerëzit, kur t’i tubojë para Tij Ditën e Gjykimit.

Aq e shpejtë dhe e shkurtër do t’ju duket jeta e kësaj bote dhe kënaqësitë e saj, saqë do t’ju duket sikur të mos kishte ekzistuar asnjëherë. E tillë do të jetë Dita e Gjykimit dhe të tilla do të jenë përjetimet e asaj dite, për të cilën mohuesit thonë: “Kur do të ndodhë ajo?”. Atë ditë, ata do të dëshpërohen e pendohen, dhe në atë gjendje të pashpresë, atyre do t’u thuhet: “Ky është ai, të cilin e quanit gënjeshtër.” [Mutafifin 17].