Select Page

– “Banorët e Zjarrit do t’u thërrasin banorëve të Xhenetit: …” – Kur ndëshkimi të arrijë në kulm dhe kur t’i ketë dërrmuar uria dhe etja, banorët e Zjarrit do t’u drejtohen banorëve të Xhenetit për ndihmë, duke u thënë:

– “Na jepni ndopak ujë ose diçka nga ato që ju ka dhënë Allahu!” – Na jepni pak prej ushqimeve dhe mirësive që ju ka falur Zoti! Por banorët e Xhenetit do t’u kthejnë këtë përgjigje:

– “Ata do të përgjigjen: “Allahu i ka ndaluar këto gjëra për jobesimtarët.” – Allahu i Lartësuar e ka bërë të ndaluar ushqimin dhe pijet e Xhenetit për mohuesit. Ky është ndëshkimi i merituar për mosbesimin e tyre në Shpalljen e Zotit. Ky është ndëshkimi për ata që tallen me fenë e Zotit, për të cilën janë urdhëruar të jetojnë sipas saj.

Nëse do ta zbatonin këtë fe, do të meritonin shpërblimin e mrekullueshëm në Xhenetin e përjetësisë. Por ata të mjerë e panë me mospërfillje fenë e Zotit dhe u tallën me të, sikur ishte një lojë e parëndësishme, në vend që ta nderonin e respektonin, duke e zbatuar dhe jetuar sipas saj. Ata u harruan në dëfrimet dhe kotësitë e kësaj jete mashtruese, duke lënë pas shpine vetë qëllimin pse ata u krijuan.