– “… të cilët penguan nga rruga e Allahut, që kërkuan shtrembërimin e saj dhe që ishin mohues të botës tjetër!” – Këta të mjerë i pengojnë njerëzit nga rruga e Allahut, duke ua paraqitur atë si të shtrembër dhe të gabuar. Allahu i Madhëruar e bëri rrugën e Tij të jetë e drejtë dhe e qartë, ndërsa këta të mallkuar e paraqesin atë si të shtrembër dhe të gabuar. Allahu i Madhëruar i përshkruan ata si mosbesues të ahiretit dhe të Ditës së Gjykimit.
Ky mosbesim i bën që të devijojnë nga rruga e drejtë dhe të përkushtohen të verbuar në përmbushjen e dëshirave të tyre të shfrenuara, që Zoti i ka bërë haram. Mosbesimi në ringjallje, mungesa e frikërespektit për Zotin dhe e shpresës për shpërblimin e Tij të mrekullueshëm i bën të harrohen në humbjen e thellë. Kur Allahu i Madhëruar deklaron mallkimin mbi këta mosbesimtarë zullumqarë, nga ana tjetër ne kuptojmë që besimtarët do t’i përfshijë mëshira, bujaria, mirësitë dhe begatitë e pandërprera të Tij. Këta fatlumë do të jenë përjetësisht mes mirësive dhe shpërblimeve pa kufij të Allahut të Lartësuar.