Select Page

O Zoti ynë! Unë e vendosa një pjesë të familjes sime në një luginë, ku nuk ka bimë, pranë Shtëpisë Sate të Shenjtë, që ta falin rregullisht namazin, o Zoti ynë!”  – Vëreni me kujdes, se ai tha: “Unë e vendosa një pjesë të familjes sime”, pra, jo të gjithë pasardhësit e mi. Kështu, në atë luginë do të jetonin pasardhësit e Ibrahimit nga Ismaili, kurse pasardhësit e tjerë të Ibrahimit, ata nga Is’haku, do të jetonin në Sham.

Për vendin ku u vendos Ismaili thuhet se ishte një vend pa bimësi, sepse toka e Mekës nuk bën për mbjellje. Më pas Ibrahimi u lut duke thënë: “…që ta falin rregullisht namazin, o Zoti ynë!” Pra, bëj, o Zot, që të të adhurojnë si Një të Vetëm, dhe bëj që ta përkryejnë namazin dhe të falen me përkushtim. Sigurisht, falja e namazit me përkushtim është nga adhurimet më të mira në fenë e Zotit. Kush e përkryen namazin, do të jetë i aftë dhe korrekt në përkryerjen e fesë së Zotit.

– ”Prandaj bëj që zemrat e njerëzve të mbushen me dashuri për ta, …”  – Bëj që njerëzit t’i duan banorët e këtij vendi dhe të përmallohen për këtë vend. Dhe Allahu i Lartësuar iu përgjigj lutjes së Ibrahimit (a.s), dhe nga pasardhësit e Ismailit nxori Muhamedin a.s, i cili do të ftonte popullin e tij në fenë madhështore Islame dhe në besimin e pastër monoteist të atit të tyre, Ibrahimit (a.s). Ata iu përgjigjën atij, duke e përkryer namazin dhe duke iu nënshtruar fesë së Zotit.

Allahu i Lartësuar e bëri detyrë haxhin në atë vend, ku u vendosën pasardhësit e Ibrahimit dhe vendosi në të një të fshehtë të çuditshme, që i tërheq zemrat dhe shpirtrat dhe i bën të përmallohen për të. Çdokush që kryen haxhin dhe e viziton atë vend nuk arrin të ngopet tërësisht me të, por vazhdimisht ndien nevojën të kthehet atje. Sa më shumë ta vizitojë njeriu atë vend, aq më tepër shtohet përmallimi dhe tërheqja drejt saj. Kështu e kupton përse Qabja quhet Shtëpia e Allahut. Gjithashtu, Ibrahimi (a.s) u lut dhe tha:

– ”… dhe furnizoji me mirësi, për të të lavdëruar me mirënjohje!” – Pa dyshim, Allahu i Lartësuar iu përgjigj lutjes së Ibrahimit (a.s.), dhe tashmë drejt atij vendi derdhen me shumicë të gjitha llojet e mirësive. Mekën e nderuar e sheh në çdo kohë të mbushur me të gjitha llojet e frutave dhe mirësive.