Select Page

– ”A mund ta kuptosh, vallë, shembullin që Allahu jep për fjalën e mirë?” – Fjala e mirë këtu nënkupton shehadetin: “Lâ ilâhe il-lâ Allahu Muhamedun Resûlull-llâh” dhe domethënien e tij. Allahu i Lartësuar e krahason këtë fjalë dhe çdo gjë të mrekullueshme që lind prej saj, me një pemë të mirë (siç është palma, për shembull). Rrënjët e saj janë thellë në tokë, ndërsa degët e saj janë të përhapura dhe ngrihen lart në qiell. Mirësitë e kësaj peme janë të shumta dhe të vazhdueshme, sikurse thotë Allahu i Lartësuar.

– ”Një fjalë e mirë është si një pemë e mirë, rrënjët e së cilës janë të thella dhe degët e saj ngjiten deri në qiell. Me vullnetin e Zotit, ajo i jep frutat e saj në çdo kohë.” – Ajo i jep frytet e saj në çdo kohë, me lejen e Zotit. Kështu është pema e imanit: rrënjët e saj janë thellë në zemër, dhe këto rrënjë janë dituria dhe besimi i patundur. Ndërsa degët e kësaj peme janë fjalët e mira, punët e mbara dhe të dobishme, morali dhe virtytet, edukata dhe sjellja e mirë etj.

Këto degë ngjiten lart në qiell. Po kështu, veprat dhe fjalët e mira që dalin nga pema e imanit, që ka rrënjë të thella në zemër, ngrihen lart tek Allahu i Lartësuar. Kjo i sjell dobi besimtarit, por edhe të tjerëve që e rrethojnë atë.

Allahu u jep njerëzve shembuj, me qëllim që ata të mendojnë.” – Përmes këtyre shembujve, adhuruesit e sinqertë kujtojnë urdhëresat dhe ndalesat e Zotit. Kështu, ata motivohen më shumë për t’iu nënshtruar dhe bindur Zotit. Nëpërmjet shembujve të prekshëm, mesazhi i Zotit bëhet më i qartë dhe më i kuptueshëm. Kjo, sigurisht, tregon për mëshirën e madhe të Allahut të Lartësuar në qartësimin e së vërtetës.

Vetëm Allahut i qoftë lavdërimi më i madh! Ky ishte përshkrimi i deklaratës së teuhidit dhe rrënjëve të saj të thella në zemrën e besimtarit të sinqertë. Në vijim, Allahu i Lartësuar përshkruan të kundërtën e saj, që janë fjalët e mohimit dhe frytet e saj të hidhura: