Select Page

– ”Ata të gjithë do të dalin sheshas para Allahut.” – Një ditë, kur t’i fryhet surit, do të dalin të gjithë para Zotit, pa përjashtim, që thotë në një varg tjetër: “Të pyesin ty për malet. Thuaj: “Zoti im do t’i shkulë ato dhe do t’i shpërndajë si pluhur.”. Dhe vendin e tyre ta bëjë rrafsh e pa kurfarë bimësie. As ultësira e as lartësira nuk do të shohësh në vendin e tyre.” [Ta Ha 107].

Asnjë e fshehtë e tyre nuk mund t’i fshihet Zotit të gjithësisë. Kur të dalin e të tubohen të gjithë para Tij, njerëzit do të fillojnë të polemizojnë kundër njëri-tjetrit. Secili do të mbrojë veten e vet me gjithçka që mundet, por kjo nuk ka për t’u bërë asnjë dobi.

Atëherë, të nënshtruarit do t’i thonë parisë së tyre: “Ne ishim pasuesit tuaj …” – Pasuesit u drejtohen udhëheqësve të tyre, që Zoti i quan kryeneçë e arrogantë, sepse i udhëhoqën njerëzit në humbje e devijim. Ndjekësit u thonë udhëheqësve: “Ne ishim pasuesit tuaj. Ne ju pasuam në jetën e dynjasë. Ju na urdhëronit dhe na ndalonit, ju na i zbukuruat të kotën dhe na devijuat nga e drejta, prandaj sot:

– “A mund të na e lehtësoni pak Dënimin e Allahut?” – Pra, na e lehtësoni dënimin, sado pak qoftë! Por prijësit do t’u thonë:

– “Ata do të përgjigjen: “Sikur ta kishim marrë udhëzimin e Allahut, ne do t’ju kishim udhëzuar edhe ju.” – Siç shihet, askush nuk mund të bëjë diçka për tjetrin. Atë ditë bëjnë dobi vetëm besimi dhe veprat e mira.

– “Por tashmë është njëlloj: Shprehim dëshpërim apo durojmë, për ne nuk ka më rrugë për shpëtim!”.” – Asgjë nuk i ndihmon: bëjnë durim apo jo, njëlloj është për ta. Nuk ka vend ku të fshihen e të mbrohen nga ndëshkimi i Zotit.