– “Ata që mohojnë thonë: “Ti nuk je i dërguar.”” – Ata të mohojnë ty dhe e konsiderojnë gënjeshtër Shpalljen që t’u dha nga Zoti. Thuaji atyre, nëse kërkojnë ndonjë dëshmues për këtë fakt:
– “Thuaj: “Mjafton që Allahu është dëshmues midis meje dhe jush, …” – Allahu i Lartësuar ka dëshmuar për këtë të vërtetë me fjalën, veprat dhe me miratimin e Tij. Me fjalën e Tij, Allahu i Lartësuar dëshmoi përmes asaj që ia shpalli më të sinqertit dhe më besnikut të krijesave të Tij. Ai shpalli mesazhe, përmes të cilave tregoi vërtetësinë dhe besnikërinë e Profetit dhe të Shpalljes. Për sa i përket dëshmisë me vepra, Allahu i Lartësuar e mbështeti Profetin dhe kauzën e tij me një ndihmë, e cila ishte jashtë mundësive njerëzore, jashtë forcës së këtij profeti apo të shokëve dhe pasuesve të tij.
Kjo ishte një dëshmi me veprat e Allahut të Lartësuar, që tregoi për vërtetësinë e Shpalljes dhe të profetit Muhamed a.s. Ndërsa dëshmia përmes pohimit të Tij kuptohet nga fakti se Profeti na ka njoftuar se ishte Zoti Ai që e dërgoi atë. Ai na tregoi se Allahu i Lartësuar i urdhëroi njerëzit për ta pasuar rrugën e drejtë dhe premtoi kënaqësinë dhe begatinë e Tij për çdo pasues të sinqertë të kësaj rruge.
Ndërsa ata që nuk e pasojnë Profetin, Zoti i kërcënon me zjarr në botën tjetër, madje e ka bërë të lejuar për t’u marrë (sipas ligjit) jetën dhe pasurinë e tyre. Për të gjitha këto mesazhe që Profeti solli prej Tij, Allahu i Lartësuar e miratoi atë. Nëse Profeti do të trillonte diçka, Allahu i Lartësuar do ta ndëshkonte menjëherë atë.
– “… por edhe midis meje dhe atyre që kanë njohuri për Librin”! – Kjo përfshin të gjithë dijetarët e dy librave (Teurat dhe Ungjill). Shumë dijetarë të krishterë apo judej, të cilët e pranuan dhe pasuan të vërtetën, dëshmuan haptas për vërtetësinë e profetit Muhamed a.s.111 Edhe ata që e fshehën këtë dëshmi, Allahu i Lartësuar na tregon se e dinin dhe ishin të sigurt për këtë fakt. Dëshmia e Zotit se ata e dinin mirë këtë fakt, por heshtnin, është, në fakt, më e fortë edhe sesa pranimi i vetë atyre, sikur ta bënin.
Nëse nuk do të dëshmonte Allahu i Madhëruar, ata do ta refuzonin diçka të tillë, por heshtja e tyre tregoi se ata e kishin të shkruar dëshminë për vërtetësinë e Profetit. Allahu i Lartësuar urdhëroi që të argumentojmë me dëshmitë që gjenden tek ithtarët e Librit, sepse dëshmia merret nga ata që kanë njohuri.
Në atë kohë, idhujtarët arabë ishin analfabetë e të paditur, prandaj nuk kishte asnjë dobi dëshmia e tyre për vërtetësinë e Profetit dhe të Shpalljes së Zotit. Madje, arabët e asaj kohe, që ishin të paditur, gjithmonë pyesnin ithtarët e Librit për të tilla çështje. Allahu është më i ditur për gjithçka.
Këtu përfundon tefsiri i sures Rad. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!
111 Të tillë ishin Abdullah Ibn Selami, Selman el Farisiu, Temim el Dari etj.