– “Edhe pse ky Kur’an është ai (Libër) me të cilin malet do të lëviznin, toka do të çahej dhe të vdekurit do të flisnin (Idhujtarët përsëri nuk do të besonin). Por, sigurisht e gjithë çështja i takon vetëm Allahut.“ – Allahu i Lartësuar na tregon në këtë ajet mirësinë dhe vlerat e larta të Kur’anit madhështor mbi të gjithë librat e tjerë që Ai ka shpallur.
Ai thotë: “Nëse do të kishte ndonjë libër të shpallur nga Zoti, nëpërmjet të cilit do të lëviznin malet nga vendi, do të çahej toka dhe do të mbushej me kopshte dhe lumenj dhe nëpërmjet të cilit do të flisnin të vdekurit, ai do të ishte ky Kur’an madhështor dhe i pakrahasueshëm. Por i gjithë pushteti i takon vetëm Allahut të Madhëruar; edhe mrekullitë Ai i sjell sipas urtësisë së Tij. Atëherë, pse këta refuzues të së vërtetës dhe mohues të profetëve propozojnë dhe kërkojnë shenja dhe mrekulli sipas dëshirave të tyre?! Mos, vallë, mendojnë se çështja e mrekullive është në dorën e tyre apo të profetëve?!
– “Vallë, a nuk e dinë ata që besojnë se, sikur të donte Allahu, do t’i drejtonte të gjithë njerëzit tek e Drejta?“ – Le ta dinë se, Allahu i Madhëruar është i plotpushtetshëm që t’i udhëzojë të gjithë, por Ai është i Urtë dhe i Gjithëditur. Ai na tregon se udhëzon në rrugë të drejtë vetëm atë që Ai dëshiron dhe lë në humbje atë që Ai dëshiron, sipas diturisë dhe urtësisë së Tij. Atëherë, le t’i druhen Atij dhe, me përunjësi dhe përgjërim, t’ia kërkojnë udhëzimin, ashtu siç Ai e kërkon.
– “Por ata që nuk besojnë, për shkak të veprave të tyre, do t’i godasë vazhdimisht shkatërrimi ose do t’u vijë pranë shtëpive të tyre, derisa të vijë Premtimi i Allahut.“ – Ata që vazhdojnë të zhyten në mosbesimin e tyre, nuk mund të nxjerrin mësim dhe zemrat e tyre nuk ndikohen nga paralajmërimet dhe ndëshkimet që Zoti u dërgon në mënyrë të vazhdueshme.
Për shkak të gjynaheve të tyre, ata goditen me ndëshkime të njëpasnjëshme, që bien mbi ta ose pranë tyre. Megjithatë, ata vazhdojnë me kokëfortësi në mohimin e tyre. Kështu do të vazhdojnë ata të mjerë, derisa të vijë dhe të realizohet i plotë kërcënimi i Zotit dhe ndëshkimi i Tij i përhershëm, që kurrë nuk do të mund ta largojnë.
– “Allahu nuk e shkel kurrë premtimin.“ – Allahu i Lartësuar nuk e shkel kurrë premtimin e Tij. Ky është një kërcënim që ata të frikësohen nga ndëshkimi i Zotit dhe të heqin dorë sa më shpejt nga mohimi, armiqësia dhe padrejtësitë e tyre.