Select Page

– “Nuk ka dyshim se atyre që mohojnë Argumentet Tona dhe tregohen kryeneçë ndaj tyre, nuk u hapen dyert e qiellit …” – Allahu i Lartësuar na tregon rreth ndëshkimit të atyre që mohojnë shpalljet e Tij, duke i konsideruar ato si gënjeshtra. Ata nuk i besojnë shpalljet e Zotit, edhe pse ato janë të mbushura me argumente të qarta dhe bindëse. Ata refuzojnë me arrogancë që të nënshtrohen dhe të punojnë sipas ligjeve dhe porosive të Zotit. Rrjedhimisht, tek ata nuk ka më shpresa se kanë për të arritur ndonjë të mirë.

Kur të vdesin, shpirtrave të tyre nuk do t’u hapen portat e qiellit. Ata do të kërkojnë leje për t’u ngjitur lart tek Allahu, por nuk do të lejohen. Ashtu sikurse në këtë botë shpirtrat e tyre nuk ngrihen lart nëpërmjet besimit të pastër, nuk u pastrohen me njohjen dhe dashurinë për Allahun, ashtu atyre nuk do t’u lejohet që, pas vdekjes, të ngrihen lart në qiell për të shkuar tek Allahu i Lartësuar.

Shpërblimi jepet sipas llojit të punës që ke bërë. Nga ajeti kuptohet se shpirtrat e besimtarëve që iu binden urdhrave dhe porosive të Allahut do të lejohen të ngjiten lart. Kur ata të vdesin, do të ngjiten në qiell, deri atje ku dëshiron Allahu i Lartësuar. Ata do të lumturohen nga afërsia me Zotin e tyre. Allahu i Lartësuar thotë për banorët e Zjarrit:

– “… dhe nuk do të hyjnë në Xhenet derisa deveja të futet në vrimën e gjilpërës. – Aq sa mund të futet një deve në vrimën e gjilpërës, po aq mund të futen në Xhenet mohuesit e shpalljeve të Zotit. Në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar thotë: “Bëjnë kufër ata që thonë: “Allah është Mesihu, biri i Merjemes”. Por Mesihu ka thënë: “O bijtë e Israilit! Adhurojeni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj! Kushdo që adhuron zota të tjerë përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe Zjarri do të jetë vendbanimi i tij. Për zullumqarët nuk ka asnjë ndihmëtar.” [Maide 72]. Kurse në këtë ajet i Lartësuari thotë:

– “Kështu i shpërblejmë Ne keqbërësit.“ – Ky është shpërblimi i merituar për ata që e teprojnë me krimet dhe shfrenimin e tyre.