Select Page

Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve qetësohen kur kujtojnë Allahun. Me kujtimin e Zotit largohet frika, trishtimi dhe ankthi nga zemra, dhe vendin e tyre e zenë gëzimi, kënaqësia dhe qetësia.

Dijeni, se me kujtimin e Allahut, zemra gjen qetësi.Është e natyrshme që zemra të gjejë prehje dhe qetësi me kujtimin e Allahut. Nuk ka ndonjë gjë më të dashur, më të ëmbël dhe më qetësuese për zemrën sesa dashuria për Krijuesin, prehja në praninë e Tij dhe lumturia që përjeton me njohjen e Tij. Në varësi të njohjes dhe dashurisë që robi ka për Zotin është edhe kujtimi. Sigurisht, këtu bëhet fjalë për format e kujtimit (dhikr), siç janë tesbih-u, tekbir-i, tehlil-i etj. Ky është njëri nga kuptimet e ajetit, pra, fjala “dhikrullah” nënkupton kujtimin që njeriu i bën Zotit.

Një mendim tjetër është se “dhikru-llah” është Kur’ani, të cilin Allahu e shpalli për të qenë këshillë dhe kujtim për besimtarët. Sipas këtij kuptimi, zemrat gjejnë prehje me Librin e Zotit. Kur njeriu dëgjon dhe mëson Kur’anin, zemra qetësohet. Kjo ndodh sepse ajetet e Kur’anit janë të mbushura me të vërteta të qarta dhe mbështeten në argumente të padiskutueshme. Kur’ani ofron dije të sigurt, sepse ajetet e tij janë të mbrojtura nga ndryshimi dhe tjetërsimi.

Librat e tjerë të shkruara nga njerëzit nuk i japin zemrës qetësi, por paqëndrueshmëri, për shkak të kundërthënieve dhe pasigurisë. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë: “A nuk meditojnë ata rreth Kur’anit? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, e jo prej Allahut, do të kishin gjetur në të shumë kundërthënie.” [Nisa 82]. Kjo kuptohet qartë me leximin dhe meditimin në Librin e Allahut të Lartësuar dhe krahasimin me librat e tjerë. Çdokush që e bën këtë, gjen një ndryshim shumë të madh mes tyre. Pastaj Allahu i Lartësuar thotë:

Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të kenë çdo mirësi dhe vendqëndrime të mrekullueshme.Janë ata që e besojnë me zemër Allahun, melekët e Tij, profetët dhe Ditën e Gjykimit, dhe e vërtetojnë këtë besim me vepra të mira. Ata bëjnë punë të mira sipas këtij besimi, qoftë punë zemre, siç është dashuria për Allahun apo shpresa dhe frikërespekti ndaj Tij, qoftë punë të dukshme, siç është namazi, agjërimi etj. Për këta fatlumë,

Allahu i Lartësuar thotë që: “…do të kenë çdo mirësi dhe vendqëndrime të mrekullueshme.” Ata do të jenë të lumtur tek Zoti i tyre. Ata do t’i përfshijë kënaqësia dhe bujaria e Allahut në këtë jetë dhe në ahiret. Ata do të jenë në kënaqësi dhe prehje të plotë. Mes këtyre kënaqësive, Allahu i Lartësuar veçon pemën Tuba, e cila ndodhet në Xhenet. Profeti (a.s)na tregon në hadithe të sakta se, nën hijen e kësaj peme mund të udhëtojë një kalorës njëqind vjet, dhe përsëri nuk arrin ta kalojë atë.