– “Pastaj i pari do t’i thotë të fundit: “Ju nuk jeni më të mirë se ne; prandaj shijojeni dënimin, për gjithçka që bëtë!” – Të gjithë e kemi zgjedhur vetë rrugën që kemi ndjekur, prandaj në këtë aspekt jemi të barabartë. Ashtu si ne, edhe ju i kryet me vullnet të lirë veprat që na sollën në ndëshkim. Ju nuk keni asnjë avantazh kundrejt nesh. Allahu i Lartësuar do të thotë për të dyja palët:
– “Ai do të thotë: “Për secilin nga ju dënimi është i shumëfishuar, por ju nuk e dini.”.” – Secili prej jush do të marrë pjesën e merituar të ndëshkimit. Megjithatë, dihet se ndëshkimi i udhëheqësve të humbjes është shumë më i ashpër dhe poshtërues se ndëshkimi i pasuesve, ashtu sikurse shpërblimi për prijësit e rrugës së drejtë është shumë më i madh se shpërblimi i pasuesve. Allahu i Lartësuar thotë: “Atyre, që nuk besuan dhe penguan nga rruga e Allahut, do t’u shtojmë dënim mbi dënim për shkak se bënin shkatërrime. “ [Nahl 88].
Këto ajete dhe të tjera të ngjashme tregojnë se të gjithë ata që kanë mohuar shpalljet e Allahut do të ndëshkohen përjetësisht, edhe pse do të kenë nivele të ndryshme ndëshkimi, në varësi të veprave që kanë kryer, në varësi të rebelimit dhe kokëfortësisë së tyre, në varësi të padrejtësive dhe shpifjeve kundër të vërtetës. Përveç kësaj, lidhja e dashurisë dhe afrimiteti që ata kanë në këtë botë mes njëri-tjetrit, Ditën e Kijametit do të shndërrohet në mallkim dhe armiqësi.