Select Page

– “Kur e humbën shpresën (se mund të bënin gjë), u veçuan për t’u këshilluar me njëri-tjetrin.” – Kur e humbën shpresën se Jusufi do t’ua jepte me vete vëllain e tyre, u veçuan për t’u konsultuar. U mblodhën së bashku veç ata dhe askush tjetër. Kështu, ata nisën të diskutonin:

– “Më i madhi i tyre tha: “A mos e harruat që babai ka marrë prej jush betimin në Allah?!” – Kuptimi: Babai ju mori premtimin që ta ruanit Beniaminin dhe t’ia sillnit atë shëndoshë e mirë, vetëm nëse kjo gjë do të dilte tërësisht jashtë mundësive tuaja.

– “Ju e keni shkelur edhe një herë tjetër besën, kur ishte fjala për Jusufin.” – Tashmë mbi ju rëndojnë dy çështje: Së pari, gabimi që keni bërë ndaj Jusufit në të shkuarën dhe, së dyti, mosplotësimi i porosisë së babait në lidhje me Beniaminin. Unë – tha vëllai më i madh – tashmë nuk kam fytyrë që të dal përpara babait tim.

– “Unë nuk largohem prej këtij vendi, derisa të më lejojë im atë ose të gjykojë Allahu për mua.” – Unë do të qëndroj këtu dhe nuk kam për t’u larguar derisa të më japë leje babai dhe të gjykojë Allahu për mua, ose, me fjalë të tjera, derisa të bëhet e mundur që unë të vij vetë ose të vij së bashku me vëllain tim.

– “Ai është Gjykatësi më i drejtë.” – Allahu i Madhëruar është Gjykuesi më i mirë. Pastaj ai nisi të këshillonte vëllezërit e tij për mënyrën se si t’ia thoshin babait atë që ndodhi: