– “Dhe fale namazin në dy skajet e ditës, edhe në orët e afërta të natës!” – Allahu i Lartësuar urdhëron për faljen e namazit në dy skajet e ditës, domethënë, në fillim dhe në fund të saj. Këtu përfshihen tre namazet: i sabahut, i drekës dhe ai i ikindisë. Më pas, i Lartësuari thotë: “edhe në orët e afërta të natës”.
Këtu bëhet fjalë për namazin e akshamit dhe të jacisë, sepse akshami është menjëherë pas perëndimit të diellit, ndërsa jacia është pranë me sabahun. Sigurisht, përfshihet edhe namazi i natës, sepse edhe ai është afër sabahut. Janë quajtur ‘zulefen’ – ‘të afërta ose afruese’ edhe për një qëllim tjetër: sepse e afrojnë robin tek Allahu i Lartësuar.
– “Sigurisht që veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat.” – Pesë namazet e detyrueshme si dhe ato vullnetare, që u bashkëngjiten, konsiderohen si veprat më të mira dhe më të shpërblyeshme. Ato kanë një shpërblim shumë të madh prej Allahut të Lartësuar dhe Bujar. Përveçse sjellin mirësi të shumta në dynja dhe ahiret, namazet, – sikurse thotë Allahu i Lartësuar, – i fshijnë dhe i largojnë të këqijat.
Sigurisht, këtu bëhet fjalë për gjynahet e vogla, sikurse përcaktohet edhe në hadithe të sakta nga Profeti (a.s.). Nga këto hadithe mund të përmendim: “Pesë namazet, nga xhumaja deri në xhuma, nga Ramazani deri në Ramazan, janë falëse dhe shuajtëse të atyre gjynaheve që veprohen mes tyre, nëse robi u largohet gjynaheve të mëdha”. Kështu që bëhet fjalë për gjynahet e vogla.
Një argument tjetër që tregon për këtë është edhe ajeti në suren Nisa, ku thotë Allahu i Lartësuar: “Nëse largoheni prej gjynaheve të mëdha, që ju janë ndaluar, Ne do t’jua falim gjynahet e vogla dhe do t’ju shpiem në një vend të nderuar.” [Nisa 31]. Pastaj Allahu i Madhëruar thotë:
– “Ky është kujtim për ata që kujtojnë (Zotin e tyre).” – Ky është një kujtim i mrekullueshëm për ata që kujtojnë mësimet e Zotit. Përemri “ky” ndoshta ka për qëllim gjithçka që u përmend pak më sipër, si:
– qëndrueshmëria në rrugën e drejtë dhe përkushtimi për të mos dalë nga kufijtë që ka vendosur Allahu i Lartësuar;
– mosanimi nga ata që bëjnë padrejtësi dhe mosmiratimi i tyre;
– urdhri për faljen e namazit dhe qartësimi se të gjitha veprat e mira i fshijnë të këqijat. Të gjitha këto vlejnë për ata që duan të dinë se çfarë u ka urdhëruar dhe çfarë u ka ndaluar Allahu i Lartësuar. Për këtë arsye, ata përkushtohen me sinqeritet për t’i zbatuar ato, se kështu fitojnë mirësi dhe begati dhe u largohen fatkeqësitë e sprovat në dynja dhe ahiret. Sigurisht, urdhrat e Allahut të Lartësuar kanë nevojë për përpjekje dhe durim të madh, që të vihen në jetë, prandaj i Lartësuari thotë më pas: