Select Page

– “Kur të vijë ajo Ditë, askush nuk do të flasë pa lejen e Tij.” – Kur të vijë ajo ditë, të gjitha krijesat do të grumbullohen para Allahut dhe askush nuk do të flasë pa lejen e Tij, madje as profetët apo melekët e nderuar. Gjithashtu, askush nuk do të mund të ndërmjetësojë tek Allahu i Lartësuar në ndonjë mënyrë, përveçse me lejen e Tij. Askush nuk mund të hyjë për ndërmjetësim nëse Allahu nuk është i kënaqur me ndërmjetësuesin dhe me atë për të cilin ndërmjetësohet dhe nëse Allahu nuk jep leje për këtë ndërmjetësim. Atë ditë krijesat do të ndahen në dy grupe, prandaj Allahu i Lartësuar thotë:

– “Prej tyre do të ketë të dëshpëruar, por do të ketë edhe të lumtur.” – Të dëshpëruarit do të jenë ata që, së pari, e kanë mohuar Allahun e Lartësuar dhe që nuk e kanë besuar Atë ashtu si duhej të besohej. Së dyti, do të jenë ata që kanë mohuar të dërguarit e Tij, duke mos i besuar si profetë të Zotit. Së treti, do të jenë ata që nuk u janë bindur urdhrave dhe porosive të Allahut, që nuk kanë punuar e jetuar sipas Shpalljes së Tij.

Ndërsa të lumturit, ‘es-suadâu’, janë besimtarët, ata të cilët e kanë besuar Allahun e Lartësuar me sinqeritet dhe që kanë ndjekur rrugën e Tij. Cilësia e tyre dalluese është devotshmëria. Ata e tregojnë devotshmërinë duke u ruajtur nga ndëshkimi i Allahut përmes plotësimit të urdhrave të Tij dhe largimit nga ndalesat e Tij, në emër të dashurisë për Allahun e Lartmadhëruar, shpresës për shpërblimin e Tij dhe frikës ndaj ndëshkimit të Tij. Ndërsa për sa i përket shpërblimit të secilit grup, Allahu Krenar dhe i Lartësuar thotë: