– “Ne nuk u bëmë atyre asnjë padrejtësi; por ishin ata që i bënë padrejtësi vetes.” – Ndëshkimi nuk ishte padrejtësi ndaj tyre, por ishin ata që i bënë padrejtësi vetes përmes idhujtarisë dhe mohimit të Zotit të Madhëruar, duke treguar mendjemadhësi ndaj Shpalljes së Tij.
– “Kur erdhi urdhri i Zotit tënd, atyre nuk u erdhën aspak në ndihmë zotat e tyre, të cilëve u luteshin veç Allahut.” – Kështu ndodh me të gjithë ata që i drejtohen për ndihmë dikujt tjetër, veç Allahut të Lartësuar, me adhurime dhe përunjësi. Kur zbret ndëshkimi i Allahut të Madhëruar, atyre nuk u bën asnjë lloj dobie adhurimi që iu përkushtojnë idhujve. Madje, Allahu i Lartësuar thotë:
– “Ata nuk u shtuan asgjë tjetër, përveç shkatërrimit.” – Idhujtaria veçse u shton ndëshkimin, shkatërrimin, dëshpërimin dhe vuajtjen. Kjo, sigurisht, është e kundërta e asaj që ata shpresojnë me lutjet e blatimet e shumta që u drejtojnë idhujve të tyre.