Select Page

– ““O populli im! Shihni nëse unë kam prova të sigurta nga Zoti im dhe Ai, nga ana e Tij, më furnizon mua me begati e të mira!” – Profeti i Allahut, Shuajbi (a.s.), u drejtohet atyre dhe u thotë: “O populli im, shihni dhe mendohuni pak! Unë jam tërësisht i sigurt dhe i qartë në të vërtetën që ju përcjell. Allahu më ka dhuruar mirësi e begati të shumta, që ju i dini shumë mirë. Gjithashtu:

“Unë nuk dua që duke ju kundërshtuar ju, të bëj vetë atë që juve dua t’jua ndaloj.” – Unë nuk ju them, nga njëra anë, që ju t’i largoheni vjedhjes në peshë dhe në masë apo cenimit të të drejtave të njerëzve në përgjithësi dhe, nga ana tjetër, t’i veproj vetë këto që ju ndaloj. Kuptojeni se unë nuk dua t’ju mashtroj dhe manipuloj. Unë jam zbatuesi i parë i porosive që ju drejtoj. Unë jam i pari që ruhem nga këto harame. Të jeni të sigurt se unë dëshiroj vetëm të përmirësoj gjendjen sa të mundem.

– “Unë dëshiroj vetëm që të përmirësoj me sa kam fuqi, …” – Unë dëshiroj thjesht rregullimin e gjendjes suaj, duke gjetur udhën e drejtë, që ju mundëson çdo mirësi e begati dhe që ju afron drejt lumturisë. Unë nuk kam asnjë qëllim e interes personal, por thjesht të ndihmoj popullin tim me aq sa mundem. Duke qenë se këto fjalë mund të tingëllojnë si vetëlëvdim, Profeti menjëherë shtoi dhe tha:

“… por suksesi (në misionin tim) vjen vetëm me ndihmën e Allahut. Vetëm Atij i mbështetem dhe vetëm Atij i drejtohem.” – Çdo e mirë që më ndodh mua, si mbarësia për të kryer vepra të mira, ashtu edhe forca për t’u larguar nga e keqja, është thjesht dhuratë nga Allahu dhe aspak merita ime. Për këtë arsye, unë i mbështetem vetëm Atij për të gjitha çështjet e mia dhe mjaftohem me këtë, duke patur besim të plotë tek Allahu. Unë kthehem i penduar vetëm tek Allahu dhe jam i përkushtuar të zbatoj çdo gjë që Ai më urdhëron.

Kështu rregullohen çështjet e njerëzve dhe kështu udhëzohen ata në mirësitë e dynjasë e të ahiretit: me mbështetje të plotë tek Allahu dhe me kthim tek Ai për t’iu bindur e nënshtruar. Prandaj i Madhëruari gjithmonë urdhëron për përkushtim ndaj Tij në adhurim dhe mbështetje tërësisht tek Ai. Nëpërmjet sures Fatiha, e cila përsëritet në çdo namaz, Allahu i Madhëruar na mëson që të themi: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm tek Ti ndihmë kërkojmë.”