– “Ata (të dërguarit) thanë: “O Lut, ne jemi të dërguarit e Zotit tënd dhe ata në asnjë mënyrë nuk kanë për t’u afruar ty.”” – Ata i treguan se cilët ishin, me qëllim që Lutit t’i qetësohej zemra. Ata e siguruan se populli i tij nuk do të mund ta prekte apo ta dëmtonte.
Pastaj Xhibrili (a.s.), me një lëvizje të krahut të tij, bëri që atyre t’u ziheshin sytë e të mos i shihnin. Kështu, ata u larguan duke kërcënuar Lutin se do të ktheheshin sërish në agim. Melekët e urdhëruan Lutin që të nisej për udhëtim natën, shumë kohë para agimit, së bashku me familjen e tij:
– “Kur të jetë fundi i natës, largohu bashkë me familjen tënde …” – Largohuni kohë para se të vijë agimi. Ky urdhër u dha në mënyrë që ata të largoheshin sa më tepër nga vendbanimi. Urdhri tjetër ishte:
– “… dhe askush prej jush të mos vështrojë mbrapa.” – Nxitoni të dilni nga vendbanimi, duke u frikësuar nga ndëshkimi i Zotit, që do godasë ata. Ky të jetë shqetësimi juaj i vetëm, aq sa edhe sytë të mos i ktheni pas për të parë. Më pas i Lartësuari thotë:
– “… Por gruaja jote do të mbetet prapa. Atë do ta godasë e njëjta gjë që do të godasë edhe ata.” – Atë do ta përfshijë i njëjti dënim që do të godasë edhe popullin tënd. Ky gjykim ishte i drejtë, sepse edhe ajo kishte pjesën e vet në gjynahun e popullit të prishur. Ishte ajo që u tregoi atyre për dy mysafirët e bukur, që vizituan shtëpinë e Lutit.
– “Afati i tyre është mëngjesi. A nuk është afër mëngjesi?” – Me sa duket, Lutit (as.) iu duk larg koha e ndëshkimit të tyre, prandaj deshi që ai të bëhej sa më shpejt. Për këtë arsye, atij iu tha: “A nuk është afër agimi?!