Select Page

– “Thuaj: “Zoti im ka urdhëruar drejtësi.“ – Allahu i Lartësuar ka urdhëruar për drejtësi dhe barazi në të gjitha fushat e çështjet. Ai na ka urdhëruar për vepra të pastra e të bukura, qoftë për adhurimet ndaj Tij, qoftë për bashkëpunimin e marrëdhëniet me njerëzit.

– “Kthehuni tërësisht drejt Zotit në çdo xhami…” – Drejtojuni Allahut dhe përpiquni maksimalisht për t’i përsosur adhurimet tuaja dhe, në mënyrë të veçantë, namazin! Përkryejeni atë qoftë në aspektin e jashtëm, qoftë në aspektin e brendshëm shpirtëror! Ruajeni dhe pastrojeni namazin tuaj nga çdo mangësi që e cenon atë!

– “… dhe lutjuni Atij, duke qenë të sinqertë në adhurimin e Tij!“ – Lutjuni Allahut duke synuar me këtë vetëm kënaqësinë e Tij, që është i Vetëm dhe i Pashoq. Kjo është një porosi për t’iu drejtuar Allahut me të dyja llojet e lutjeve: lutja e kërkesës (duau mesele) dhe lutjet e shprehur nëpërmjet adhurimeve (duâul ibâdeh). 52

Atëherë, drejtohuni Allahut me të gjitha format, por bëjeni këtë jo duke u shtirur dhe sa për t’u dukur, por duke pasur një qëllim të vetëm: adhurimin e sinqertë të Allahut dhe synimin për ta kënaqur Atë.

– “Ashtu sikurse e nisi krijimin tuaj herën e parë, ashtu do të ktheheni sërish tek Ai.” – Ashtu sikurse Ai ju krijoi herën e parë, po ashtu do t’ju krijojë  sërish e do t’ju ringjallë. Ai që ishte i Plotfuqishëm për ta nisur krijimin tuaj nga hiçi, është i Plotfuqishëm ta ribëjë edhe njëherë e t’ju rikthejë në jetë. Madje, ribërja është më e thjeshtë sesa shpikja e parë.

52  Shiko tefsirin e ajetit 186 të sures El bekare.