– “Nëse ata kthejnë shpinën (thuaju): “Unë tashmë jua kam përcjellë qartë atë me të cilin jam dërguar te ju.” – Edhe nëse i ktheni shpinën ftesës sime, unë e kam kryer detyrën ndaj jush. Unë jua përçova qartë dhe saktësisht mesazhin, prandaj nuk kam asnjë përgjegjësi për ju. Dijeni, gjithashtu:
– “Zoti im mund t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, ndërsa ju nuk mund t’i bëni Atij kurrfarë dëmi.” – Zoti im është i fuqishëm që të sjellë pas jush një popull tjetër, që të përkushtohen në përkryerjen e adhurimeve ndaj Tij dhe ta adhurojnë si Një, të Vetëm dhe të Pashoq. Dëmi i shpërfilljes dhe i mosbesimit tuaj rëndon thjesht mbi ju.
Allahun e Madhërishëm nuk e dëmton mosbindja e të pabindurve, ashtu sikurse nuk i sjell dobi apo rritje të pushtetit bindja e të bindurve. I Madhëruari thotë: “Kush bën mirë, bën mirë për veten e vet e kush bën keq, ai vepron kundër vetes së vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve .” [Fussilet 46] Ose: “Kush bën vepra të mira, bën për vete e kush bën vepra të këqia, bën kundër vetes. Në fund, te Zoti juaj do të ktheheni.” [Xhathije 15]. Më pas, i Madhëruari i kërcënon me llogarinë e Tij të drejtë dhe thotë:
– “Vërtet, Zoti im është Mbikëqyrës i çdo gjëje”. – Allahu i ka ruajtur të gjitha veprat e tyre, në bazë të të cilave edhe do t’i shpërblejë. Në fakt, ndëshkimi i tyre filloi që në këtë botë, kur i përfshiu një furtunë e fuqishme, sikurse thotë i Madhëruari në ajet tjetër: “(Kujto) Edhe Adin, kur Ne lëshuam kundër tyre furtunën shkatërrimtare, që nuk la gjë pa e shndërruar në mbeturinë.” [Dharijat 41, 42]. Allahu i Madhëruar na tregon se Ai e shpëtoi Hudin nga ky ndëshkim, bashkë me besimtarët e tjerë: