– “Ata thanë: “O Hud, ti nuk na solle ndonjë argument …” – Nuk na solle ndonjë argument a provë të qartë, që ne të besojmë. Nëse me fjalën ‘argument’ kishin për qëllim argumentet që ata propozonin vetë, le ta dinin se e vërteta e Zotit nuk ka nevojë për të tilla fakte. E vërteta nuk varet nga argumentet që ata propozojnë me mendjen e tyre. E nevojshme është vetëm që profeti të sjellë një shenjë nga Zoti i tij, e cila të mbështesë e të vërtetojë saktësinë e mesazhit që ai sjell.
Nga ana tjetër, nëse kishin për qëllim të thoshin se Profeti nuk u solli asnjë shenjë e argument që të faktonte se mesazhi prej Zotit ishte i vërtetë, atëherë kjo qe një gënjeshtër, sepse nuk ka pasur asnjë profet që Zoti të mos e ketë pajisur me shenja e argumente të mjaftueshme që njerëzit ta besonin. Por edhe sikur ai të mos u sillte asnjë shenjë të dukshme nga shqisat, do t’u mjaftonte vetëm kumtimi i qartë i mesazhit, që ai i porositi për ta besuar e për t’iu nënshtruar.
Profeti i ftoi të ishin tërësisht të sinqertë me Allahun, Krijuesin e tyre. Ai i këshilloi t’i përkushtoheshin tërësisht adhurimit të Zotit si Një, të Vetëm dhe të Pashoq. Ai i urdhëroi për vepra të mira e të dobishme dhe për virtyte të larta. I Dërguari i ndaloi nga idhujtaria, nga kjo vepër kaq e shëmtuar dhe poshtëruese. I ndaloi nga poshtërsitë e padrejtësitë, si dhe nga fjalët e veprat e ulta, të shëmtuara dhe të dëmshme. Të gjitha këto porosi dhe këshilla të mrekullueshme ua solli Hudi (a.s.), njeriu me cilësitë dhe virtytet më të mira që mund të ketë një njeri fisnik. Ai i kumtoi ato me çiltërsinë dhe besnikërinë më të madhe.
A nuk mjaftojnë të gjitha këto si argumente për vërtetësinë e mesazhit që ai përcolli nga Zoti i tij?! Madje, mund të themi me bindje se të urtët dhe të mençurit i shohin këto lloj argumentesh si më të rëndësishme dhe më të forta sesa thjesht disa ngjarje të jashtëzakonshme, të cilat, nga një grup njerëzish, shihen si të vetmet mrekulli dhe fakte bindëse.
Ndër shenjat dhe argumentet treguese të vërtetësisë së tij ishte edhe fakti se ky profet qe i vetëm, pa ndihmës e mbështetës. Por edhe pse i vetëm dhe pa mbështetje, Ai e thirri popullin me zë të lartë, duke i sfiduar e duke iu thënë: “Mblidhuni të gjithë me komplote kundër meje e mos më jepni asnjë afat!” Unë i jam mbështetur Allahut, Zotit tim dhe Zotit tuaj. Nuk ka asnjë nga gjallesat, që Ai të mos e ketë nën sundim. Vërtet, Zoti im është i Drejtë.”
Ata ishin armiq të betuar të Profetit. Ata kishin fuqi ushtarake të jashtëzakonshme. Dëshira e tyre më e flaktë ishte që të shuanin dritën që Hudi (a.s.) përhapte. Atëherë, me çfarë sigurie fliste ky profet dhe ata që ishin me të, ndërkohë që ata mund t’i shfarosnin me fuqinë e tyre?! Si është e mundur që ata tiranë të mos i bënin dot asnjë gjë profetit dhe atyre që i besuan atij?! Vërtet, kjo qe një sfidë dhe një argument shumë i qartë për ata që logjikojnë.
– “… ndaj ne nuk i braktisim zotat tanë për fjalën tënde …” – Ne nuk e lëmë adhurimin e idhujve tanë thjesht prej fjalëve të tua, të pambështetur në argumentet që duam ne.
– “… dhe nuk të besojmë ty.” – Kështu ata donin të këpusnin çdo shpresë se mund të besonin. Kurrë nuk kemi për të besuar – thanë ata – dhe do të vazhdojmë me mospërfilljen ndaj ftesës tënde.