– “O populli im! Kërkoni falje prej Zotit tuaj dhe kthejuni Atij të penduar!” – Kërkoni falje për idhujtarinë e gjynahet e kaluara, dhe pastaj pendohuni vazhdimisht për çdo gjynah e mangësi në të ardhmen. Gjithmonë të jeni të kthyer te Zoti juaj, me pendim të sinqertë dhe me bindje. Nëse ju e bëni këtë, atëherë Allahu i Madhëruar thotë:
– “Ai do t’ju lëshojë shi me bollëk …” – Nëpërmjet shirave të bollshëm, toka do të lulëzohet dhe begatohet. Kështu, ju do të lumturoheni me mirësitë e shumta të dhuruara nga Ai. Veç kësaj:
– “… do t’ju shtojë fuqi mbi fuqinë tuaj …” – Adët ishin nga popujt më të fuqishëm që Zoti ka krijuar ndonjëherë, aq sa thoshin: “E kush është më i fuqishëm se ne?!” Prandaj Allahu i Madhëruar u premtoi që, nëse besonin dhe ktheheshin të penduar e të bindur, Ai do t’ua shtonte edhe më shumë forcën e tyre.
– “… ndaj mos refuzoni e mos u bëni zullumqarë!” – Mos i ktheni shpinën kësaj ftese bujare të Zotit, Krijuesit tuaj! Mos u bëni bisht porosive të Tij! Mos tregoni kryeneçësi ndaj adhurimit të Allahut! Mos tregoni guxim të paturpshëm që të shkelni kufijtë e Tij! Duke refuzuar ftesën e Profetit të tyre, ata thanë: