Select Page

– O bijtë e Ademit, Ne ju kemi dhënë veshje, si mbuluese për vendet tuaja të turpshme si edhe për zbukurim. – Të tilla janë edhe mirësitë e tjera, si ushqimi, pija, mjetet për ngarkesë etj. Allahu i Lartësuar ua lehtësoi njerëzve këto mirësi, duke u falur atyre jo vetëm aq sa u nevojitet, por edhe më shumë se kaq. Megjithatë, Ai sqaron se, të gjitha këto mirësi nuk janë dhe nuk duhet të jenë për ta qëllim në vetvete. Allahu i Madhëruar i mundësoi ato për të qenë në ndihmë të njerëzve, sidomos për arritjen e qëllimit të vetëm të jetës së tyre, që është adhurimi i Allahut të Lartësuar dhe bindja ndaj Tij. Prandaj i Lartësuari thotë më pas:

– Por veshja e devotshmërisë – ajo është më e mira. – Devotshmëria është më e mirë sesa veshja e bukur dhe stolitë e kësaj dynjaje. Veshja e devotshmërisë e shoqëron robin në mënyrë të pandashme dhe është zbukuruese e zemrës dhe e shpirtit. Ndërsa veshjet dhe stolitë e kësaj dynjaje mbulojnë ose zbukurojnë vetëm trupin për njëfarë kohe të kufizuar. Edhe sikur të ndodhë që, në ndonjë rast të jashtëzakonshëm, robi të mbetet pa veshje të jashtme, thjesht do të zbulohet trupi i tij, dhe në këtë rast ai është i justifikuar. Ndërsa kur hiqet rroba e devotshmërisë, atëherë kjo sjell poshtërimin dhe turpërimin e tij.

– Këto janë disa nga shenjat e Allahut, me qëllim që ata të kujtojnë (mirësitë e Zotit). – Çështja e veshjes le t’ju shërbejë si kujtim dhe për të menduar me kujdes rreth gjërave që ju sjellin dobi dhe atyre që ju sjellin dëm. Le të shërbejë ky si një kujtim dhe si një nxitje për ju që, ashtu sikurse kujdeseni për rrobat dhe stolitë tuaja të jashtme e të dukshme, ashtu edhe të kujdeseni për rrobën dhe stolinë e brendshme.